Tetovë, 7 nëntor – Nga data 9 deri me 11 nëntor të këtij viti, në Dibër të Madhe dhe Peshkopi, do të zhvillohet Festivali tradicional lojërave popullore, alegorisë, humorit, këngëve dhe valleve tradicionale “Oda dibrane 2017”, festival i cili në gjuhën popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut, e cila është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës dhe trimërisë shqiptare. Festivali është i 23-ti me radhë, ku në këtë eveniment marrin pjesë ansamble nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Kosova Lindore dhe Maqedonia. Ansambli “Burimet e Sharrit”, në këtë festival, si zakonisht, do të prezantohet gatë natës finale, me një program të begatshëm me valle, humor dhe alegori si dhe disa lojëra popullore, të cilat publiku i Peshkopisë kurdoherë i ka përcjellë me një interesim dhe entuziazëm të jashtëzakonshëm. “Festivali ka për qëllim të prezantojë kulturën shpirtërore të popullit tonë si edhe të promovojë vlerat e trashëgimisë shpirtërore, atë të këngës dhe valles humoristike, prandaj neve me kënaqësi i jemi përgjigjur ftesës së këtij festivali, sepse jemi një ndër ato të cilët me fanatizëm i kemi ruajtur vlerat e mirëfillta të trashëgimisë sonë popullore”, thotë kryetari i këtij ansambli, Zilfi Aliu. (koha.mk)