Një vokal i mrekullueshëm i skenës shqiptare është dhe Burim Mehmeti, djaloshi nga Prishtina që tashmë ka një karrierë mjaftë të bujshme muzikore me shumë hite. Për të njohur më shumë këngëtarin, ne kemi realizuar një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?
Lirisht mund të them që muzika zë 70% të jetës time.
KOHA: Zgjohesh me këngë në mëngjes? Hiti yt i preferuar?
Jo, në mëngjes zgjohem me bismilah.
KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?
Po jam në përgatitje të një kënge të re shumë ritmike e cila besoj të lansohet së shpejti.
KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?
Fillimet e mia kanë qenë të vështira sikur të secilit prej nesh që kemi kultivuar këngën e bukur shqipe duke pasur parasysh që muzika e huaj ka pasur një ndikim shumë të madh në publikun mbarëshqiptarë.
KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën?
Në shtëpi thënë të drejtën duke ditur që është i vetmi vend për t’u relaksuar nga streset e përditshme i jap më shumë të drejtë vetes për të pushuar.
KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?
Karriera muzikore nuk të lë që t’i lësh jashtë derës problemet e saj.
KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit? Receta e preferuar?
Gatuaj ndonjëherë, e kam pasion dhe receta të ndryshme.
KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?
Prishtina, vendlindja ime.
KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?
Në fillim të korrikut të vitit që shkoi.
KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?
Nuk ia lejoj shumë vetes që të merrem me këtë pjesë, kush ka kohë të më gjykojë apo të merret me mua “puna e mbarë i qoftë” unë jam rrëzuar dhe zgjuar shumë herë në jetë dhe vazhdoj ta bëj pa u marrë me të tjerët.
KOHA: Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?
Këndimi.
KOHA: I keni qejf fëmijët? Doni një familje të madhe?
Po jam prind i tre fëmijëve dhe i dua fortë. Për momentin, nuk kemi menduar që do duhej me pas më shumë fëmijë.
KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
Prindërit më kanë mësuar të gjitha ato që do ia mësoj pasardhësve të mi ndoshta në forma të tjera por si brum ajo do të jetë mirësjellja ndaj të tjerëve dhe respektin ndaj të gjithëve.
KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?
Të dal për relaks me familjen.
KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?
‘Gjuetari i balonave’ nga Khaled Hosseini.
KOHA: Projektet që ju presin?
Shumë projekte pandërprerë.