Shkup, 12 tetor – Kritika të ashpra vijnë nga Komiteti për parandalimin e torturës dhe sjelljes jonjerëzore nga Këshilli i Evropës për gjendjen e burgjeve të Maqedonisë. Në fokus të kësaj kritike është burgu i Idrizovës ku janë vërtetuar më shumë padrejtësi, shkruan gazeta KOHA. Komiteti i Këshillit të Evropës në burgun e Idrizovës ka konstatuar kushte jonjerëzore në të cilat mbretëron korrupsioni, maltretimi dhe dhuna ndaj të burgosurve, si dhe mbrojtje joadekuate shëndetësore. Ekspertët e Komitetit në fjalë, burgjet i kanë vizituar në dhjetor të vitit 2016, ndërsa raportin përfundimtar e kanë publikuar sot. Në Idrizovë janë vendosur rreth 60 për qind të të burgosurve të Maqedonisë. Korrupsioni manifestohet në secilin segment të jetës së të burgosurve, thuhet në raport. Në burg paguhet për gjithçka vendosja në qeli, leje për mungesë apo qasje në ilaçe e telefon celular.
Mbingarkim është hetuar edhe në burgun e Shtipit. Kryeministri Zoran Zaev në shtator të këtij viti, pas vizitës në burgun e Idrizovës, tha se turpërohet se është kryeministër i një vend ku ekziston një burg i tillë. Kritikat nga Këshilli i Evropës dhe organizatave tjera vendore e ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për gjendjen e burgjeve në Maqedonisë përsëriten me dekada. (koha.mk)