Gjendja e rëndë shëndetësor dhe mungesa e kushteve të mirëfillta mjekësor në burgjet e vendit nuk mjafton si arsye që Gjykatat në Maqedoninë e Veriut t’i shfuqizojnë masat e paraburgimit. Në këso rrethana nuk mjaftojnë as garancitë e dhëna prej mijëra eurove
Omer XHAFERI
Shkup, 25 shtator – Trajtimi dhe terapitë e mirëfillta mjekësore vazhdojnë të mungojnë në burgjet e vendit. Komiteti i Helsinkit gjatë muajit gusht e ka regjistruar një rast të kësaj natyre, ku nuk përmbushen nevojat mjekësor të një të burgosuri. Bëhet fjalë për një person në burgun e Shkupit, i cili e vuan masën e paraburgimi për tre muaj resht. Në përshkrimin e këtij rasti, mes tjerash thuhet se ky person në paraburgim i është nënshtruar një operacioni në gjunjë, për të cilën është përgatitur edhe vlerësim profesional, shkruan gazeta KOHA.
“Në këtë vlerësim është konstatuar se në institucionin ku personi e vuan masën e paraburgimit nuk ekzistojnë kushte për rehabilitim dhe trajtim të duhur pas operacionit. Njëherit asgjë nuk është marrë parasysh gjatë vazhdimit të masës së paraburgimit. Kësisoj është vënë në pikëpyetje kurim i të paraburgosurit pas operacionit. Si rezultat i operacioni, personi po lëviz me ndihmën e patericave. Ndërkohë, për shkak të kushteve të papërshtatshme në Institucionin ndëshkues – përmirësues Burgu i Shkupit, ai është rrëzuar dhe lënduar. I njëjti është dërguar për kontroll në institucionet shëndetësore dhe përsëri është kthyer në burgun e Shkupit”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Gjendja e rëndë e klientit të tyre e ka shtyrë palën mbrojtëse që të kërkoj shfuqizimin e masës së paraburgimit, dhe zëvendësimin e saj me arrest shtëpiak. Si garanci për respektimin e kësaj mase të fundit pala mbrojtëse ka ofruar 103 mijë euro në kundërvlerë denarë. Mirëpo, sipas të dhënave të Komitetit të Helsinkit, ky propozim edhe pas katër muajve nuk ka asnjë përgjigje konkrete. Bashkë me parashtresën e dorëzuar deri te Komiteti i Helsinkit pala e preokupuar i ka parashtruar edhe ankesat dhe vendimet për vazhdimin e masës së paraburgimit. Nga kontrolli i të njëjtave mund të shihet se katër vendimet për vazhdimin e paraburgimit janë formalitet dhe të arsyetuara me prova, respektivisht çdo vendim është përshkrim i vendimit paraprak.
“Një praktikë e tillë është evidentuar edhe gjatë vizitave në institucionet tjera ndëshkuese-përmirësuese, me çka përfaqësuesit tanë regjistruan më shumë raste ku është shqiptuar paraburgimi, në kushte kur ekzistojnë kushte tjera për shqiptimin e masave tjera në pajtim me Ligjin për procedurë penale. Me theks të posaçëm problematik është fenomeni i mos dorëheqjes nga masa e paraburgimit nga gjykata, gjegjësisht zëvendësimi i saj me masë tjerë të sigurisë, në kushte kur personi është në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë vizitës në burgun e Prilepit, përfaqësuesit tanë regjistruan dy raste të personave me gjendje të rëndë shëndetësore. Gjykata në këto raste nuk ka hequr dorë nga zbatimi i masës së paraburgimit edhe udhëheqësi e burgut ka theksuar se nuk ekzistojnë kushte për trajtimin e duhur”, sqarojnë për KOHA nga Komiteti i Helsinkit.
Ndryshe, nga Komiteti i Helsinkit nuk e mohojnë faktin se me masën e paraburgimit sigurohet prezenca e të akuzuarit në seancë dhe kështu mundësohet një procedurë e suksesshme penale. Megjithatë, ata theksojnë se paraburgimi është masa më e rëndë, për shkak se me atë kufizohet e drejta e lirisë së njeriut.
“Paraburgimi paraqet masë të detyrueshme të procedurës, me të cilën për shkak të udhëheqjes së suksesshme të procedurës gjyqësore ndërhyhet në të drejtat e lirisë dhe sigurisë së individit”, thonë nga Komiteti i Helsinkit. Mes tjerash Komiteti ju rekomandon Gjykatave që gjatë shqiptimit të masës së paraburgimit me seriozitetin dhe kujdesin më të lartë ti kenë parasysh udhëzimet dhe rekomandimet e dhëna nga ana e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. (koha.mk)