Duhet theksuar se numri i divorceve në Dibër ka një rritje dhe ai gjatë vitit që kaloi ishte afro 40. Por nga ana e tjetër, qëndron edhe fakti se tek divorcet në të cilët nuk ka patur marrëveshje, paraqitet një problem i madh kur është në pyetje pagesa e alimentacionit të njërit nga prindërit”, thotë për gazetën KOHA, kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Ilir Iseni
Vjollca SADIKU
Dibër, 25 shkurt – Problemi i divorceve shkakton probleme edhe në pagesën e alimentacionit tek bashkëshortët e divorcuar të cilët kanë fëmijë. Në Gjykatën Themelore në Dibër pohojnë se edhe në Komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, pas divorceve – paraqiten problemet rreth pagesës së alimentacionit. Sipas përfaqësuesve të kësaj gjykate, shpesh problemi i mos pagesës së alimentacionit nga njëri prindër përfundon në gjykatë, duke u ngritur lëndë penale.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Ilir Iseni, thekson se edhe përkundrejt rritjes të numrit të divorceve me marrëveshje, problemi i pagesës së alimentacioneve është i pranishëm. “Në dy komunat të cilat janë nën kompetencë të Gjykatës Themelore të Dibrës, kemi një pozitivitete kur janë në pyetje divorcet meqë mbi 50 për qind e divorceve tani bëhet me marrëveshje dhe pa incidente, siç ka qenë më parë. Duhet theksuar se numri i divorceve në Dibër ka një rritje dhe ai gjatë vitit që kaloi ishte afro 40. Por nga ana e tjetër, qëndron edhe fakti se tek divorcet në të cilët nuk ka patur marrëveshje, paraqitet një problem i madh kur është në pyetje pagesa e alimentacionit të njërit nga prindërit”, thotë për gazetën KOHA, kryetari i gjykatës, Iseni. Sipas tij, gjatë vitit 2019 është dyfishuar numri i lëndëve penale ndaj prindërve të cilët nuk paguajnë alimentacionin, edhe pse janë të detyruar me ligj.
Ai thotë se janë regjistruar dhjetë lëndë penale, të cilët janë realizuar tërësisht. Disa nga prindërit të cilët nuk kanë paguar alimentacionin – kanë përfunduar edhe në burg. Në krahasim me vitin 2019, në 2018 – numri i lëndëve penale për mos pagesë të alimentacionit është vetëm 5, kurse në vitin 2017 në këtë Gjykatë themelore janë regjistruar 4 lëndë penale. “Ne si institucion gjyqësor gjithmonë tentojmë që të ketë një marrëveshje rreth pagesës së alimentacionit dhe në ato raste jepen edhe kushte, respektivisht afate për të paguar këtë detyrim ligjor. Në këtë drejtim, ka raste kur afatet dhe kushtet respektohen, por nëse prindërit të obliguar ligjërisht nuk respektojnë kushtet, iniciohet lëndë penale”, tregon Iseni. Pjesa dërmuese e ish-bashkëshortëve që duhet të paguajnë alimentacionin ligjor për fëmijët dhe atë nuk e bëjnë – janë baballarët. Shpeshherë para gjykatës ata nuk paraqiten në seancat gjyqësore, ndërsa arsyetohen se janë “jashtë shtetit”.
Edhe në Qendrën për Punë Sociale në Dibër funksionon një ekip i cili merret me problemet e divorceve dhe pagesat e alimentacionit. Në këtë institucion thonë se në Këshillimore ka shumë sukses në momentet kur tentohet që të mos ketë shkurorëzime, por edhe në fazën pas divorceve. Në këtë fazë problemi kryesor paraqitet në lidhje me kujt do ti takojnë fëmijët, por edhe problemit të pagesës së alimentacionit. Për fat të keq, theksojnë në këtë institucion, shpesh ndodh që bashkëshortët – tanimë të divorcuar, të mos paguajnë alimentacionin. Këto probleme më pas përfundojnë në institucionet gjyqësore. Edhe këtu theksojnë se ka një rritje të këtij problemi meqë bashkëshortët e divorcuar jo vetëm për shkak të aspektit të dobët material, por shpeshherë edhe për shkak të “inateve” që kanë mes vete, nuk paguajnë alimentacion. Problemi i takon sferës sociale, por si i tillë shpeshherë është edhe shkak për dhunë në familjen e divorcuar të shoqëruar shpeshherë edhe me incidente të rënda. (koha.mk)