Nicolas Burdisso e di se çfarë do të thotë të fitosh me Interin. Nëntë trofetë që fitoi në vitet e tij zikaltër flasin vetë. Gjithashtu, ai e priste suksesin e Antonio Conte, të ndërtuar mbi mbrojtjen solide. Ish-lojtari argjentinas, duke folur për “Gazzetta dello Sport”, vlerësoi treshen mbrojtëse të Interit, duke e krahasuar atë me “BBC” (Bonucci-Barzagli-Chiellini), që gjithashtu e kishte bërë Juventusin e Conte të shkëlqyeshëm:
“Conte nuk i pëlqen të ndryshojë shumë. Pas dhe përpara nuk prek asgjë, nëse nuk është i detyruar. Ranocchia dhe D’Ambrosio janë alternativa të vlefshme, por Skriniar, De Vrij dhe Bastoni së bashku janë të jashtëzakonshëm, të pakalueshëm. Antonio ka krijuar te zikaltrit supermbrojtjen me 3, si në kohën e drejtimit të Juves. Besoj ju kujtohet ‘BBC’ e famshme”.
Duke folur për bardhezinjtë, Burdisso tha se ishte i befasuar nga zgjedhja e Pirlos, por në një kuptim pozitiv. Ai shpreson që zgjedhja në fjalë të mbrohet në të ardhmen: “Ndryshimi ishte në ajër, Juve fitoi për nëntë vite radhazi.
Duhet të them se u befasova pozitivisht nga vendimi për t’u mbështetur tek Pirlo. Njerëzit gjithmonë kritikojnë, por janë biseda të zbrazëta. Ju nuk mund të gjykoni vetëm në bazë të rezultateve. Andrea tregoi gjëra interesante, shpresoj që në Torino të kenë forcën për ta mbrojtur përsëri këtë zgjedhje”.