Tirana e Jureckit – siç ai e kujton – është një Tiranë, në të cilën mund të ecësh i sigurt nën dritën e hënës. Sot, ajo Tiranë është edhe më e bukur se 11 vjet më parë. Ndaj, pritjes së tij, ndoshta i ka ardhur fundi dhe bukuritë e kërkuara, mund t’i gjejë në Shqipëri. Në Shqipërinë, në të cilën ai jo vetëm kërkon të rikthehet, por të shtyjë edhe bashkëkombësit e tij, në aventurën e radhës, këtë herë drejt Ballkanit ndryshe
Në vitin 2009, gazetari polak, Jurek Jurecki, do të vizitonte Shqipërinë për herë të parë në jetën e tij. Tashmë, 11 vjet më vonë, tre, do të jenë fjalët përkujtimore të atij udhëtimi: Bunkerë, Mercedezë dhe Lavazhe. Në një regres mendimi, gazetari i rikthehet kujtimeve të tij mbi pushimet shqiptare, në një shkrim për median polake “24tp.pl”. “Njerëzit më kanë pyetur prej kohësh mbi udhëtimet e mia. Si është këtu, si është atje? Por, ka vetëm diçka për të cilën jam i sigurt sot. Një pikturë e Shqipërisë së vitit 2009. Një vend jashtëzakonisht i bukur, në të cilin dua të rikthehem dhe t’i uroj pushimet vetes dhe të gjithë lexuesve të mi”.
Një pikturë, e cila kornizohet fillimisht nga bunkerët, sipas polakut. “720 mijë bunkerë, na kujtojnë kohët mizore të diktaturës”, shkruan në rreshtat e kujtimeve të tija Jurecki. “Mund t’i gjesh kudo. Madje, në to vendosen shpesh edhe reklama ose pikturohen bukur”. Madje, sipas gazetarit, disa prej bunkerëve shërbejnë edhe si materiale të ricikluara inerte, për ndërtimin e objekteve të reja. Ndërtesa, në të cilat bëjnë pjesë edhe hotele lukzose me katër apo pesë yje, buzë bregdetit shqiptar. “Një dhomë e thjeshtë me mëngjes të përfshirë, mund të kushtojë edhe 20 euro nata në këtë vend. Nëse qëndron gjatë, mund edhe të negociosh”.
NJË PIKTURË TIPIKE SHQIPTARE
“Një shtëpi e papërfunduar, mundësisht me themele të lëna përgjysmë në vend të çatisë. Një depozitë uji dhe një antenë satelitore, rrihen nga rrezet e diellit. Në ballkone e dritare, vazo me lule”. Kjo është piktura tipike shqiptare që kujton polaku. Një pikturë, e cila në disa pjesë të Shqipërisë, pak ka ndryshuar që prej vitit 2009. Një pikturë, e cila përmban në sfond edhe një makinë Mercedez Benz, të pastruar mirë, e cila qëndron me krenari në oborret e shtëpive shqiptare.
“E vërteta është se në pesë makina, katër janë Mercedez. Ndryshe nga opinioni i përgjithshëm, ato nuk janë as të vjetra. Janë makina të reja”. Makinat që shndrisin në pastërti, janë edhe falë lavazheve – të ndodhura kudo në Shqipëri, siç shpjegon Jurecki. “Është e çuditshme se si makinat mbajnë radhën për të shkuar në lavazh, edhe pse janë të pastra”, shpjegon ai. Po aq i çuditshëm për polakun, është fenomeni i ngarjes së makinës. Respektimi i rregullave rrugore, më saktë mosrespektimi shpesh herë, ka lënë mbresa të veçanta tek ai. “Semaforët ndoshta nuk duhen. Këmbësorët nuk i respektojnë ato. Përse duhen atëherë?”.
GËZIMI EVROPIAN
“Që prej aderimit në NATO, një gëzim i madh erdhi tek shqiptarët. Sot ndërkaq, ata ëndërrojnë Bashkimin Evropian”. Paranoja e komunizmit sipas gazetarit polak, është e dukshme në ëndrrat evropiane të Shqipërisë. Imazhi i ish-diktatorit, Enver Hoxha, është ende i freskët në kujtesën kolektive sipas tij. Një gëzim që nuk është thjesht evropian, por edhe amerikan. Shqipëria njihet për qasjen pro-perëndimore në post-komunizëm. Qasje, e cila vihet re edhe në faza zgjedhore. “Kur isha në Shqipëri, në vitin 2009, ishte vit zgjedhor. Kudo shihje në fushata flamurë të BE-së dhe SHBA-ve. Ishte një festë e madhe në këtë mitingje, plot me muzikë dhe koncerte”, kujton Jurecki.
NËSE…
“Nëse plehrat do të pastroheshin pakëz, ky shtet, i shtrirë në dy dete si ai Adriatik dhe Jon, do të ishte jashtëzakonisht i bukur”. Fjalët e Jureckit duket se janë dëgjuar që prej asaj. Në fakt, jo vetëm plehrat, por prej disa javësh, Shqipëria është përballur edhe me një mision të pastrimit të bregdetit nga ndërtimet e jashtëligjshme. Detin jonian, ai e përshkruan si një ngjyrë turkuazë me plazhe magjepsëse. Rrugët drejt tyre janë ndërtuar tashmë. Janë shtruar aq mirë, sa që mund të shkohet drejt Shqipërisë edhe me automjet, pa nevojë për fluturime, falë autostradës që lidh Prishtinën me Tiranën e më tej me jugun. “Shqiptarët janë të turpshëm, por shumë mikpritës. Aty është më se normale ti flasësh njerëzve në rrugë dhe të marrësh buzëqeshje prej tyre”.
E gjithë kjo, kombinuar me ushqimin e shijshëm dhe të shumëllojshëm në Shqipëri. Për Jureckin, nëse dikush ishte në kërkim të akomodimit të mirë, plazheve të pastra apo mundësive për sporte ujore, Shqipëria do të ishte vendi i duhur në disa vjet. Prej 2009-ës, kanë kaluar plot 11. Tirana e Jureckit – siç ai e kujton – është një Tiranë, në të cilën mund të ecësh i sigurt nën dritën e hënës. Sot, ajo Tiranë është edhe më e bukur se 11 vjet më parë. Ndaj, pritjes së tij, ndoshta i ka ardhur fundi dhe bukuritë e kërkuara, mund t’i gjejë në Shqipëri. Në Shqipërinë, në të cilën ai jo vetëm kërkon të rikthehet, por të shtyjë edhe bashkëkombësit e tij, në aventurën e radhës, këtë herë drejt Ballkanit ndryshe. (albanian post)