Berlin, 26 shtator – Sonte Bundestagu i Gjermanisë votoi për dhënien e datës për nisjen e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Bundestagu me 476 vota PËR, 122 KUNDËR dhe 16 ABSTENIM votoi për nisjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut në BE, ndërsa me 350 PËR, 188 KUNDR dhe 16 ABSTENIM votoi për hapjen e negociatave të Shqipërisë për në BE.
Lajmin e bëri publik edhe Luigi Soreca, i cili në një postim në twitter tha se “Bundestagu gjerman ka votuar këtë mbrëmje në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor”.
Gjatë diskutimeve deputeti i SPD, Josip Juratovis kërkoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke deklaruar se duhet t’i japim një shans Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në seancë, përfaqësues nga Maqedonia e Veriut do të jetë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani i cili do të pritet nga kryetari i Bundestagut gjerman, Volfgang Shojble.