Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 qershor – Kompanitë ndërtimore i kanë paraprirë bllokimit të punës së komunave të cilat pas 15 majit funksionojnë në aspekt teknik si rrjedhojë e skadimit të mandatit të autoriteteve lokale. Këtë e dëshmon edhe rritja e madhe e lejeve të lëshuara për ndërtim në tre muajt e parë të vitit 2016, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në muajin mars janë lëshuar 384 leje për ndërtimin e banesave që është për 96 për qind më shumë se në muajin mars të vitit të kaluar. Sipas lejeve të miratuara, vlera e parashikuar e objekteve është 6.995.016 mijë denarë që është për 139 për qind se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në muajin shkurt të 2017-ës, janë lëshuar 363 leje për ndërtim që është për afër 9 për qind më shumë se muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa vlera e ndërtimeve është 6.369.524 mijë denarë që është për afër 9 për qind më shumë se në muajin shkurt të vitit 2016. Ndërkaq në muajin janar të këtij vit, janë lëshuar 368 leje për ndërtim që është për 40 për qind më shumë se në muajin janar të vitit 2016. Vlera e ndërtimeve është 5.260.686 mijë denarë, që është për 70 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërtimtarët thonë se sektori i ndërtimtarisë është stabil dhe në raport me veprimtaritë e tjera ekonomike ishte më i përgatitur të ballafaqohet me krizën politike, edhe pse edhe ai nuk tërësisht indiferent ndaj krizës politike. Ngjashëm me vitet e kaluara edhe sivjet pritet që ndërtimtaria jo vetëm nga ana e sektorit privat, por edhe atij publik të jetë bartëse kryesore e rritjes ekonomike. “Sektori i ndërtimtarisë në vitet e kaluara printe rritjen ekonomike në Maqedoni dhe ndoshta pikërisht për këtë ishte më i përgatitur që të ballafaqohet me krizën si dhe ta tejkalojë atë. Numri i rritur i lejeve për ndërtim, tregu stabil i patundshmërive si dhe jo-oscilimi në çmime, janë tregues se ndërtimtaria për momentin gjendet në kondicion të mirë“, thotë Robert Hot, kryetari i Odës së ndërtimtarisë pranë Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë. Nga ana tjetër, ndërtimtarët presin që çmimet edhe në të ardhmen të jenë stabile.
“Luhatje prej 5 deri 10 për qind në vit janë normale në një ekonomi tregu, bile janë edhe të dëshirueshme për biznesin. Në ndërtimin e lartë, 100 për qind të investimeve janë private, andaj edhe tregu i dikton çmimet. Logjika e tregut thotë se nëse ka banesa të pa-shitura, atëherë nuk duhet më të ndërtohet. Nga ana tjetër, të dhënat e fundit tregojnë se kemi numër të lejeve të lëshuara për ndërtim që tregon se investitorët vazhdojnë të ndërtojnë“, thotë për KOHA, Zoran Azmanov nga kompania Nastel.
Në ndërkohë, të dhënat e fundit statistikore tregojnë se është rritur pjesëmarrja e ndërtimtarisë në Prodhimin e Brendshëm bruto nga 4.9 për qind në 2008 në 6.4 për qind në 2015-ën. Gjithashtu, ekspansioni i ndërtimtarisë tërheq edhe rritjen e 25 veprimtarive të tjera ekonomike si dhe ndikon në punën e mbi 4300 kompanive të ndryshme ndërtimore që punojnë në Maqedoni. Nga sektori i ndërtimtarisë thonë se një ndikim të madh në rritjen e punës së tyre kanë edhe kushtet e përmirësuara të kredive banesore, ku edhe pse pagat nuk janë shumë të larta në Maqedoni, megjithatë qytetarët orientohen që të hyjnë në borxh në 10-20 vitet e ardhshme që të zgjedhin çështjen e banimit si preokupim kryesor jetësor. Analizat e sektorit bankar tregojnë se 90 për qind e banesave blihen me kredi. Këtë e tregon edhe dyfishimi i kredive banesore prej 264 milionë euro në vitin 2010, në mbi 510 milionë euro në vitin 2016, si dhe rritja mesatare e banesave të reja të përfunduara për mbi tre për qind në periudhën 2002-2015.
Në ndërkohë, analizat tregojnë se rritja e kredive banesore i detyrohet bumit ndërtimor në Maqedoni, sidomos në Shkup. Njëherazi me sigurimet e mëdha të kredive banesore që gati çdo herë janë hipotekare , bankat kanë edhe komoditet më të madh gjatë miratimit të kredive, ndërsa në kohën e fundit është ulur edhe lartësia e kamatave, edhe pse ato akoma janë të larta për xhepin e qytetarit mesatar të Maqedonisë. Përvojat e agjencive të patundshmërive tregojnë se qytetarët që kanë para për pjesëmarrje në kredi me së paku 30 për qind të vlerës së banesës dhe kanë aftësi kredituese për të marrë dhe kthyer për çdo muaj këstin e kredisë, më së shpeshti edhe vendosin që të blejnë banesë. Nga ana tjetër, krahas uljes së butë të kamatave për kreditë banesore , liberalizimit të kushteve për marrjen e kredive banesore, janë zvogëluar edhe çmimet mesatare të një metri katror në Maqedoni prej 51.644 denarë në vitin 2009 në 43.091 denarë në vitin 2016, gjegjësisht prej 840 në 700 euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara