Fisnik PASHOLLI
Shkup, 2 shkurt – Përkundër krizës ekonomike që ka kapluar të gjithë shtetet e rajonit, megjithatë të dhënat tregojnë se shumica e aeroporteve në Ballkan shënojnë rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve dhe zgjerimin e destinacioneve të reja, shkruan gazeta KOHA. Hyrja e më shumë avio-kompanive të reja, rritja e numrit të udhëtarëve dhe oferta më atraktive për fluturime. Këto janë disa nga veçoritë kryesore që shënuan transportin ajror në Ballkan në vitin e kaluar. Vlerësohet se liberalizimi i vizave për shumicën e shteteve të rajonit, rritja e madhe e mërgimit nga vendet e Ballkanit në shtetet perëndimore, ardhja e kompanive që ofrojnë çmime prej 50 deri 100 euro për vajtje-ardhje, por edhe ardhja e madhe e turistëve të huaj që përfshijnë vizitat e disa shteteve të rajonit, ka rritur dukshëm në vitet e fundit numrin e udhëtarëve në të gjitha aeroportet në rajon.
Nga Aeroporti i Shkupit “Aleksandri i Madh”, vitin e kaluar janë transportuar 1.651.826 pasagjerë, ndërsa nga Aeroporti i Ohrit “Shën Apostulli dhe Pavli” janë transportuar 142.550 udhëtarë, që do të thotë se në vitin e kaluar nga aeroportet e Maqedonisë janë transportuar 1.794. 376 udhëtarë. Kjo paraqet një rritje prej më shumë se 140 për qind të numrit të udhëtarëve nga Aeroporti i Shkupit në raport me vitin 2010, kur numri i tyre ishte rreth 600 mijë si dhe rritje prej më shumë se 200 për qind të numrit të pasagjerëve nga Aeroporti i Ohrit në raport me vitin 2010.
Kompanitë “lou kost” rrisin pazarin
Sipas TAV Maqedoni, që menaxhon aeroportet në Maqedoni, numri i udhëtarëve në dy Aeroportet e Maqedonisë është rritur para së gjithash si rrjedhojë e vendosjes së kompanive të ashtuquajturave “lou kost” që ofrojnë fluturime të lira në shtetet e ndryshme evropiane. Këtë e dëshmon edhe fakti se Aeroporti i Shkupit që deri në vitin 2010 kishte 15 destinacione, sot numëron 35 destinacione, ndërsa deri në periudhën e verës pritet të ketë edhe linja të reja.
Vlerësohet se me vendosjen e kompanive me çmim të lirë apo “lou kost” është rritur numri i pasagjerëve dhe fluturimeve. Gjithashtu, sipas tendencave në suaza botërore, aeroportet nuk janë më vetëm ofrues të shërbimeve transportuese, por edhe faktorë serioz për zhvillim ekonomik dhe lokal. Statistika tregon rritje të madhe të udhëtarëve në Aeroportin e Shkupit, sidomos prej kur në gjashtë vitet e fundit shtetit filloi me subvencionimin e kompanive “lou kost”, që vendosën destinacione të reja për dhe nga Maqedonia, por edhe me angazhimin e Kompanisë turke TAV, e cila nga viti 2010 menaxhon me dy aeroportet në Maqedoni. Hovi i madh i aviotransportit është mbështetur edhe me përkrahjen direkte shtetërore në të holla prej para pesë vitesh. Kështu, në vitin 2012 u shpall thirrja e parë publike për ndarjen e ndihmës financiare për avio-transportuesit vendor dhe të huaj në vlerë prej 25.6 milionë denarë. Më vonë subvencionet janë rritur për katër herë, gjegjësisht në vitin e kaluar u ndanë 104 milionë denarë subvencione për destinacione të reja. Maqedonia është e lidhur me 11 qytetet gjermane, si Munihun, Dortmundin, Berlinin, Hanoverin, Hamburgun, Frankfurti etj, ndërsa në Itali mund të udhëtohet në Veneci dhe Milano. Destinacione më të vizituara në vitin e kaluar kanë qenë Stambolli me 12.6 për qind, Cyrihu me 10.2 për qind, Vjena me 6.3 për qind , Bazeli me 5 për qind, Mallme me 4.8 për qind dhe Londra me 4.3 për qind të pjesëmarrjes në treg. Nga aspekti i pjesëmarrjes së avio-kompanive, Vizzer ka transportuar më shumë udhëtarë dhe ka pjesëmarrje tregu prej gati 55 për qind. Pas tij pasojnë Turkish Erllajns dhe Austrian Erllajns.
Në ndërkohë, konkurrenca e madhe midis aeroporteve të rajonit, pritet të vazhdojë edhe këtë vit. Vizzer paralajmëroi se nga muaji prill do të fillojë të fluturojë në relacion Shkup-Budapest-Shkup, ndërsa Katar Ervejs pritet që sivjet të fillojë të fluturojë prej Shkupit deri në Doha. Konkurrenti më i madh si dhe viteve të kaluara për Aeroportin e Shkupit është ai i Prishtinës, Adem Jashari, që në vitin 2016 shënoi rritje të mëtejshme të punës dhe 1. 744,202 udhëtarë. Falë lehtësirave që Limak Kosova International Airport ofroi për kompanitë ajrore, për herë të parë në historinë e tij Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ka arritur shifrën rekord të udhëtarëve. Krahasuar me vitin 2015, ky numër shënon rritje prej 12.6 për qind, përderisa numri i fluturimeve është rritur për 8.1 për qind. Rrugëtimet e fundit më të reja nga Prishtina përfshijnë linjat ajrore e Izi Xhet për destinacionet Paris CDG dhe Berlin Shenfeld, Bergamo, me Adria Ervejs në Londër Luton. Rritje të madhe të punës tregon edhe Aeroporti Nëna Terezë në Rinas të Tiranës. Në vitin 2005, koncesioneri “TIA”, mori në administrim Aeroportin e Rinasit, me një numër pasagjerësh prej përafërsisht 600,000. Dymbëdhjetë vite më vonë, duke treguar një rritje të konsiderueshme, Aeroporti i shërben një numri prej më shumë se 1.9 milionë pasagjerësh në vit dhe është tashmë një portë moderne drejt vendit duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë.
“Rinasi” në duart e kinezëve
Në vitin e kaluar, kompania kineze “China Everbright”, ka bërë me dije zyrtarisht se ka nënshkruar blerjen e koncesionit të Rinasit. Pas mbylljes së marrëveshjes, Keen Dynamics Limited, do shfrytëzojë koncesionin e Aeroportit të Rinasit deri në vitin 2025. Kështu, aksionet e aeroportit të vetëm në vend, kalojnë nga gjermanët në duart e kinezëve. Blerja e TIA nga kinezët vlerësohet si një mundësi investimi në infrastrukturë e cila përputhet me nismën e Kinës mbi Rrugën e Mëndafshtë. Pritet zgjerimi i mëtejshëm i punës dhe rritja e numrit të pasagjerëve. Gjithashtu, synimi është edhe kthimi i aeroporteve në Evropë në parqe logjistike për transportin e mallrave kineze.
Nga aeroportet e tjera në rajon, nga ai i Sofjes, janë transportuar gati pesë milionë udhëtarë, nga Aeroporti i Burgasit janë transportuar 2.8 milionë udhëtarë, ndërsa nga ai i Varnës 1.7 milionë udhëtarë, që do të thotë se nga aeroportet bullgare kanë udhëtuar 9.5 milion udhëtarë në vitin 2016. Rritje të punës tregojnë edhe aeroportet e tjera në shtetet fqinje. Aeroportet në Kroaci falë kryesisht bumit të sezonit turistik, kanë regjistruar 8.1 milion udhëtarë prej të cilave 2.7 milionë udhëtarë kanë kaluar përmes Aeroportit të Zagrebit. Nga ana tjetër, Aeroporti i Beogradit në vitin e kaluar ka shënuar gati 5 milionë udhëtarë.
Ndryshe, transporti ajror në suaza botërore gjeneron 58 milionë vende pune dhe kontribuon me 606 miliardë në ekonominë botërore. Gati gjysma apo 51 për qind e udhëtimeve turistike realizohen me avionë, ndërsa statistika evidenton 6.5 miliardë udhëtarë në botë me avion. Gjithashtu, kompanitë globale të aviotransportit kanë realizuar profit më të madh se 40 miliardë dollarë në vitin 2016, që paraqet rritje prej 5 miliardë dollarë në raport me vitin 2015.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.