Bullgaria thërret në raportim ambasadorin serb pasi Daçiqi kritikoi kryeministrin bullgar rreth Kosovës

Ministria e Jashtme bullgare ka thënë sot se ambasadori serb është ftuar në një takim raportues në ministri të hënën në lidhje me reagimin e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq ndaj deklaratave të kryeministrit bullgar, Boyko Borissov, rreth Kosovës dhe për të nominuarin për postin e shefit të politikës së jashtme të BE-së.

Daçiqi kritikoi Borissovin rreth komenteve të tij se i nominuari për të pasuar Federica Mogherinin në postin e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, ministri i jashtëm spanjoll, Josep Borrell, duhet të respektojë qëndrimin e BE-së për Kosovën e jo atë të Madridit, raporton “SofiaGlobe”.

Në një intervistë për televizionin publik serb (RTS), Daçiqi tha se “Borissovi duhet të respektojë qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës, i cili”, sipas Daçiqit, “është se Kosova nuk është e pavarur – e jo të tentojë t’i mbajë leksion Borrellit”, transmeton Koha.net.

Duke folur për RTS-në, Daçiqi tha: “Boiko, më lejo të të tregoj një gjë, sjellja e BE-së nuk thotë se Kosova është shtet i pavarur. Ti, Boiko, duhet të respektosh sjelljen e BE-së, e jo t’i japësh leksion Borrellit”.

“Kjo ngjan në paturpësi. Jam ngopur me këto gjëra; e të mos flasim se para disa muajsh ai u nderua nga shteti ynë”, tha Daçiqi.

Shkurtin e këtij viti, Serbia e nderoi Borissovin me nderin më të lartë shtetëror “për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimin paqësor dhe marrëdhënieve miqësore mes Republikës së Serbisë dhe Republikës së Bullgarisë”. Çmimi i nderit iu nda nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.