Sofje, 20 shkurt – Kuvendi i Republikës së Bullgarisë sot do ta ratifikojë Protokollin e aderimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në seancën plenare ku do të votohet ratifikimi do të marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi i cili qëndron në vizitë zyrtare në Bullgari.
Siç njoftuan nga pres shërbimi i Kuvendit të Bullgarisë, pritet që Xhaferi para seancës plenare të mbajë takim me homologen bullgare Cveta Karajançeva, ndërsa pas aktit të ratifikimit të dy do të japin deklaratë për mediat.
“Është paraparë që Xhaferi të ketë takime edhe me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva. Zaharieva në fillim të muajit deklaroi se Bullgaria do të jetë njëra prej shteteve të para që do ta ratifikojnë marrëveshjen për bashkimin e shtetit tonë në NATO, për shkak se kjo është në interes kombëtar për Bullgarinë. E njëjta ka të bëjë edhe me hyrjen e vendit në Bashkimin Evropian”, tha shefja e diplomacisë bullgare.
Komisioni parlamentar për mbrojtje në kuadër të Kuvendit bullgar më 15 shkurt e miratoi protokollin dhe u rekomandoi deputetëve ta miratojnë.
Protokollin për anëtarësim në NATO, e para e ka ratifikuar Greqia, ndërsa deri tani atë e kanë bërë edhe Sllovenia dhe Shqipëria. (koha.mk)