Bullgaria dorëzoi mbi 30 faqe ma vërejtje të librave të historisë në Maqedoni, deklaroi zëvendëskryeministrja bullgare dhe ministre e Punëve të Jashtme Ekaterina Zaharieva.
Në pyetjen e deputetëve në Parlamentin bullgar, Zaharieva tha se Komisioni i përbashkët për çështje historike dhe arsimore i formuar sipas Marrëveshjes për fqinjësi të mirë ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë tashmë kishte dy takime, ndërsa i treti duhet të mbahet deri në fund të këtij muaji. Shqyrtohen librat e historisë në të dy shtetet, është bërë kontrollim i librave nga klasat e gjashta dhe të shtata në Maqedoni dhe për to janë dorëzuar mbi 30 faqe vërejtje.
Zaharieva thotë se edhe pse përfaqësuesit bullgar të komisionit kishin konstatuar probleme serioze në përmbajtjet e librave, atmosfera në komision është konstruktive.
Ajo theksoi se komisioni çdo vit deri te qeveritë e të dy vendeve do të duhet të dorëzojë raport për punën e bërë. Për Bullgarinë, thotë Zaharieva, është me rëndësi që të arrihet pajtueshmëri reciproke për ngjarjet, personalitetet e përbashkëta historike, të cilët do të duhej të nderohen së bashku.
Anëtarët e komisionit të përbashkët tashmë e kanë përcaktuar metodologjinë e punës, ndërsa janë marrë vesh që të mbahen në parim rotacioni, një herë në Bullgari, një herë në Maqedoni.
Zaharieva theksoi se pritjet nga puna e komisionit janë shumë të mëdha. Përfaqësuesit bullgar në të, siç theksoi, janë të përcaktuar sipas konsultimeve gjithëpërfshirëse me Akademinë bullgare të Shkencës dhe Fakultetin e Historisë në Universitetin e Sofjes.
Shefi i ekipit të Maqedonisë Dragan Gjorgiev dje në një deklaratë për Kanal 5 tha se Maqedonia dhe Bullgaria nuk kanë kurrfarë pikëpamjesh të ndryshme për periudhën parahistorike dhe antike, ndërsa vërejtjet kanë të bëjnë kryesisht për përmbajtjet e mesjetës – për Shtetin e Samoilit dhe për misionarët Shën Kirili dhe Metodi.
“Janë vërejtur lëshime edhe në librat tonë por edhe në librat bullgar dhe ka filluar analiza për një pjesë të tyre”, thotë Gjorgjiev.
Historiani bullgar Stefan Deçev, pret ndryshime në librat e historisë në të dy shtetet, por tregon se për këtë do të nevojitet periudhë e gjatë kohore.
Me hapjen e historiografisë së njëra-tjetrës dhe me përfshirjen e kuadrove të reja të cilët kanë arsim bashkëkohor mund të arrihet sukses dhe mirëkuptim i ndërsjellë.