Ervin Bulku është njeriu që mori mbi super përgjegjësinë për të nxjerrë Kombëtaren Shqiptare nga momenti i vështirë që po kalon, pas humbjes me Turqinë dhe shkarkimit të trajnerit Panucci. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Andorrën, Bulku theksoi rëndësinë e sfidës së nesërme dhe kërkoi nga skuadra që të japë maksimumin për të dalë me 3 pikë nga kjo transfertë.
- Ju ka rënë mbi supe një përgjegjësi e rëndësishme. Nëse me Turqinë një humbje pranohej, me Andorrën duket se është e paimagjinueshme…
Unë jam pranë skuadrës dhe e njoh mirë grupin, ndaj edhe më takonte të marr një përgjegjësi të tillë, ndonëse jam një trajner i ri. Sfida me Andorrën është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të fitojmë nesër, që të mund të mendojmë për objektivin tonë. Eliminatoret sapo kanë filluar dhe kemi humbur vetëm ndeshjen e parë, ndaj të përqendrohemi te sfida e nesërme. - Çfarë emocioni dhe përgjegjësie është sfida e nesërme?
Është përgjegjësi e madhe që më është ngarkuar, ndërsa detyra ime është që bashkë me çunat, të bëjmë më të mirën për të fituar ndeshjen ndaj Andorrës. - Riktheheni pas 17 vitesh në Andorra, pasi dikur luanit si lojtar zëvendësues. Çfarë do të ketë ndryshe nesër?
Ndryshimi i vetëm është që këtë takim do ta fitojmë patjetër. Jemi të bindur që do t’ia dalim. - Cila është gjendja fizike e Balës dhe Sadikut. A mund të luajnë të dy së bashku nesër?
Gjendja fizike mbetet për t’u parë mbas stërvitjes së sotme dhe më pas do të vendosim. - Si është atmosfera në ekip dhe gjendja psikologjike e lojtarëve?
Jemi munduar të harrojmë sa më shpejt atë humbje ndaj Turqisë. Mendoj se gjendja psikologjike është shumë e mirë dhe do të luajmë të bindur në suksesin nesër. - 17 vjet më parë ishim në Andorra dhe ishte ndeshja e fundit që kishim një trajner shqiptar. Rikthehemi këtu dhe kemi sërish një trajner shqiptar. Çfarë koincidence është kjo?
Unë mendoj se jam trajner i ekipit në këto momente që flasim, pasi më kanë ngarkuar një detyrë të cilën do ta kryejë me angazhimin maksimal. Unë jam i ri dhe fati më solli në krye të Shqipërisë, ndaj kam bindjen e plotë te çunat, që nesër do fitojmë dhe unë ta nis me një rezultat pozitiv.