Nga fundi i muajit qershor të vitit të kaluar filluan punimet e fazës së parë për hapjen e bulevardit të shumëpërfolur “Bllagoja Toska” në Tetovë. Por ende punët kanë ngelur në pjesën fillestare me vetëm rrënimin e dy objekteve të pabanueshme dhe nuk është vijuar me punët
Urim HASIPI
Tetovë, 1 prill – Qytetarët janë të lodhur me premtimet e vazhdueshme për fillimin e punëve për hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë. Ata shprehen të zhgënjyer me premtimet e njëpasnjëshme ndër vite se ky bulevard shpejtë do të fillojë të ndërtohet, shkruan gazeta KOHA.
Sipas banorëve, tashmë në këtë pjesë ka shumë pluhur, ka shumë baltë, krijohet kaos me parkimin e veturave dhe kjo situatë tashmë po përsëritet vite me radhë. “Nuk e kanë ndërmend me e rregullu, çdo ditë kalojmë këtu, ka pluhur, ka makina të parkuara, është vërtetë gjendje e mjerueshme. Apelojmë si banorë të lagjes të ndërtohet ky bulevard dhe të lirohet kjo pjesë e qytetit nga ngufatja”, thonë disa banorë të kësaj lagje. Ata janë të revoltuar se pse nuk fillojnë punët dhe stërzgjatet fillimi i një nga projekteve të cilësuara si më kapitale në qytetin e Tetovës. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ndërkohë ka theksuar edhe njëherë se problem mbetet eksproprijimi i shtëpive, të cilët duhet të rrënohen. Sipas saj, janë katër objekte që kanë mbetur problematike.
“Me çështjet e eksproprijimit nuk kemi patur shumë fat. Jemi në përfundim edhe me katër objekte me eksproprijimin që besojmë që shpejt do të intervenojmë edhe atje. A do të jetë ajo e mjaftueshme për të filluar edhe punimet e plota, do të mbetet që të shihet”, tha Arifi, pa dhënë ndonjë afat konkret për fillimin e punëve.
Nga fundi i muajit qershor të vitit të kaluar filluan punimet e fazës së parë për hapjen e bulevardit të shumëpërfolur “Bllagoja Toska” në Tetovë. Por ende punët kanë ngelur në pjesën fillestare me vetëm rrënimin e dy objekteve të pabanueshme dhe nuk është vijuar me punët. Gjatë muajve të verës – korrik, gusht e në muajt në vijim të 2018, nuk janë zhvilluar punime, ndërsa i njëjti vend shfrytëzohet për parking. Në fazën e dytë gjatë procesit të eksproprijimit do të rrënohen 19 objekte në këtë bulevard. Bulevardi “Bllagoja Toska” fillon nga unaza në bulevardin e “Ilinden” dhe përfundon te stadiumi i qyteti. Hapja e këtij bulevardi përpos kostos së madhe, do të duhet të rrënojë dhe disa shtëpi dhe njëkohësisht të zgjidh disa çështje pronësore juridike. Edhe pse kjo rrugë gjendet pothuajse në zemër të Tetovës dhe afër Spitalit Klinik në Tetovë, në këtë pjesë nuk është bërë as një investim infrastrukturore edhe përkundër frekuentimi të madhe të qytetarëve dhe shumë premtimeve.
Hapja e bulevardit “Bllagoja Toska” do të lehtësonte qarkullimin e automjeteve dhe njerëzve në pjesën qendrore të qytetit. Arsyetimi i autoriteteve të Komunës së Tetovës për mosrealizimin e këtij projekti ka qenë ndërtimet pa leje që janë në procedurë legalizimi. Nga Sektori për tokë ndërtimore dhe komunikacion pranë Komunës gjatë vitit të kaluar ishin shprehur se në këtë mandat hapja e këtij bulevardi do të jetë prioritet. Nga atje shpresojnë se këtë vit do të fillohet intenzivisht të punohet. Sipas informacioneve, procedura e shpronësimit vijon të mbetet problem serioz që të fillojnë punët. Nga Komuna disa herë gjatë miratimeve të Buxhetit vjetor ndër vite kanë paraparë mjete për këtë bulevard, por gjithnjë punët nuk kanë filluar. Pikërisht mos fillimi i punëve, shpeshherë është përcjellë edhe me kritika nga këshilltarët e opozitës në Këshillin e Komunës së Tetovës, të cilët kanë kërkuar përgjegjësi dhe përgjigje se pse nuk fillon ndërtimi i bulevardit. (koha.mk)