Kryetarët e Qytetit të Shkupit dhe komunës së Aerodromit, Koce Trajanovski dhe Ivica Konevski sot kryen kontroll në fazën e dytë përfundimtare nga punët ndërtimore për zgjerimin dhe rikonstruimin e bulevardit “Brigada e tretë maqedonase”, e cila filloi në dhjetor të vitit 2015.
Faza e dytë është kryer në shtrirje nga udhëkryqi me rrugën “Vasko Karangalevski” deri tek rruga “Nikolla Karev”, në gjatësi prej 1.400 metrave.
Siç deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Trajanovski, ka mbetur edhe largimi i objektit, i cili gjendet në trasenë e këtij bulevardi, për të cilin është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore dhe pritet vendim nga gjykata, kështu që pritet që bulevardi i ri të inaugurohet deri në fund të shtatorit.
Rruga me këto aktivitete ndërtimore tani më është bërë me 4 korsi (nga dy korsi në çdo drejtim), shteg për biçikleta të mbuluar me asfalt dhe e gjerë 2 metra dhe trotuar i mbuluar me pllaka-bekatoni me gjerësi prej 3 metrave.
Paraprakisht pjesa e parë e bulevardit “Brigada e tretë maqedonase” në shtrirjen e bulevardit “Serbia” deri te rruga “Franjo Kluz” ishte zgjeruar në vitin 2014 me gjatësi prej 1.243 metra, kështu që është zgjeruar bulevardi në gjatësi të përgjithshme prej mbi 2.600 metra.
Zgjerimi i kësaj rruge do të mundësojë komunikim më të shpejtë rrugor me të gjitha pjesët e komunës dhe me qendrën e qytetit dhe nga ana tjetër do të rritet edhe siguria rrugore.