Njohësit e kësaj fushe mendojnë se shteti duhet të ndihmojë zhvillimin e turizmit rural pikë së pari me ndërtimin e rrugëve për shkak se nuk mund të sjellim turistë të huaj me një infrastrukturë të pazhvilluar rrugore, ndërsa duhet të mendohet edhe për mbështetjen financiare të banorëve në revitalizimin e shtëpive për bujtje të turistëve, duke u fokusuar në ndërtimin e etno-fshatrave me ruajtjen e origjinalitetit të shtëpive tradicionale të Sharrit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 31 maj – Mali i Sharrit por edhe malet tjera në Maqedoni, janë një nga pjesët më të bukura malore në të gjithë Evropën. Këto masive malore mund të kthehen në një nga pikat më të frekuentuara të turizmit malor në rajon, me kusht që shteti do të përgatiste një plan serioz zhvillimor për këtë zonë, dhe nëse mbështeten seriozisht banorët e kësaj ane në hapjen e vendeve të reja të punës, shkruan gazeta KOHA.
Ekspertët e lëmisë së turizmit vlerësojnë se Mali Sharr i pasur me livadhe, pyje, burime të ftohta uji, liqene malore, stane të dhenve, djathëra e bylemtëra të tjerë,mund të shndërrohet në një nga pikat më të fuqishme të turizmit malor në Evropën juglindore duke e shndërruar turizmin malor pikë destinimi në të gjitha stinët.
Sipas profesorit universitar, Mislim Zendeli, pasuria e madhe natyrore që e posedon Mali Sharr për tu shndërruar në një burim të ardhurash për banorët e zonës, kërkon në radhë të parë një strategji zhvillimore për turizmin e qëndrueshëm rural , që më pas do të hapte rrugën edhe për realizimin e projekteve dhe plan-bizneseve të ndryshme.
“Mali Sharr mund të ketë një turizëm malor mjaft të zhvilluar, por vetëm me kusht që të dihet se çka dhe si do të zhvillohet, cilat janë prioritetet e kështu me radhë. Pra, zhvillimi i turizmit malor në këtë zonë kërkon një planifikim shumëdimensional dhe heterogjen me pjesëmarrjen e subjekteve si në nivel lokal ashtu edhe në nivel republikan”, sqaron për KOHA, Zendeli.
Sipas tij, shteti duhet të ndihmojë zhvillimin e turizmit rural pikë së pari me ndërtimin e rrugëve për shkak se nuk mund të sjellim turistë të huaj me një infrastrukturë të pazhvilluar rrugore, ndërsa duhet të mendohet edhe për mbështetjen financiare të banorëve në revitalizimin e shtëpive për bujtje të turistëve, duke u fokusuar në ndërtimin e etno-fshatrave me ruajtjen e origjinalitetit të shtëpive tradicionale të Sharrit.
“Në këtë drejtim duhet të mendojmë për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm në aspektin ekonomik që do të jetë fitimprurës për banorët e zonës, do të hapë vende të reja të punës, do të ruajë biodiverzitetin e natyrës , nuk do të shkatërrojë ambientin si dhe do të tërheqë turistë nga jashtë me origjinalitetin e vet duke filluar nga ushqimi, bukuritë natyrore, qeni i Sharrit, delet e Sharrit etj”, shpjegon më tej Zendeli.
Një vëmendje e veçantë në këtë drejtim, shton më tej ai , duhet kushtuar edhe organizimit të banorëve të kësaj ane në aspektin e trajnimeve se çka dhe si të investojnë , ngritjes së kapaciteteve profesionale në aspektin e turizmit malor . Gjithashtu nevojitet një ndihmë profesionale edhe nga ana e inxhinierëve të blegtorisë apo kopshtarisë, si dhe ekspertëve të lëmive të tjera , me qëllim që turizmi malor të jetë një biznes i leverdishëm thekson Zendeli.
THETHI SI MODEL
Në ndërkohë, masivi malor i Thethit afër Shkodrës në vitet e fundit, frekuentohet nga vizitorë vendas e të huaj, ndërsa banorët e këtij fshati turistik kanë nisur të përshtatin banesat e tyre në funksion të turizmit, duke e parë këtë si një mundësi ekonomike me interes. Kjo ka ndikuar që të shtohet interesit i vizitorëve të huaj, që kryesisht janë ekplorues të natyrës, turistë, alpinistë apo të apasionuar pas shëtitje me biçikletë. Vetëm para tre vitesh, mbi 12 mijë turistë të huaj kanë vizituar këtë pikë turistike në Shqipëri.
Përveç kësaj, në stinën e verë janë të shumta familjet nga Thethi që jetojnë në Shkodër, që rikthehen atje për të veruar por dhe për të shfrytëzuar mundësitë ekonomike që u jep turizmi malor. Prej disa viteve, banorët e Thethit kanë filluar të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre, aty ku kanë shtëpitë ku janë lindur e rritur. Një pjesë e shtëpive janë ndihmuar edhe nga GTZ Gjermane.
Në këto shtëpi të përshtatura për pushuesit, tashmë ka krevate, rafte, dyshekë, çarçafë e batanije të reja si dhe pajisje hidrosanitare, enë kuzhine me aksesorët përkatës etj. Kështu banesat janë kthyer në pansione të vogla, mini-hotele, shtëpi pushimi ku afrohen shërbime si fjetja dhe ushqimi. Po kështu GTZ ka mundësuar dhe vendosjen e sinjalistikës turistike në të gjithë parkun kombëtar të Thethit. Ndihmë familjeve nga Thethi në biznesin e tyre u ka dhënë dhe UNDP dhe ambasada holandeze, e cila ka mbështetur rikonstruksionin e dritareve të banesave dhe pjesëve të tjera të tyre.
RIKTHIMI I HANEVE
Në Shqipëri, edhe projekti ambicioz “40 Hanet”, i cili ka disa vjet që funksionon, ofron për turistët e huaj dhe vendas mundësitë për të njohur nga afër jo vetëm bregdetin shqiptar, por edhe traditat shqiptare të hershme. Këto banesa mahnitëse dhe relaksuese rigjallërojnë turizmin në zonat rurale të vendit, duke përmirësuar ekonominë e banorëve të zonave të thella të vendit, të cilët tashmë kanë një alternativë më tepër, përveç emigracionit apo bujqësisë për të siguruar jetesën.
Konkretisht, janë shtëpitë e fshatit me kushtet reale të banimit, sigurisht, të mobiluara sipas traditave të zonave ku janë ngritur. Katër itineraret e këtij projekti përfshijnë në gjurmën e veta hanet, duke nisur nga Alpet e Shqipërisë, më pas bujtinat përgjatë rrugës së njohur si “Via Pubblica”, për të vazhduar me “Via Egnatia” dhe në fund itinerarin e Jugut. Ndërkohë që ekziston një mori kombinimesh dhe akomodimesh, të cilat i japin dorë të lirë turistit dhe agjencive turistike për të eksploruar itinerare të tilla. (koha.mk)