Sivjet, Ministria e Bujqësisë me një shumë prej katër milionë euro, me rritjen e subvencioneve për grurin e prodhuar dhe të dorëzuar, do të ndihmojë si prodhuesit vendor të grurit ashtu edhe mullisët në Maqedoni
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 shtator – Maqedonia vite me radhë nuk arrin ta sigurojë bukën për nevojat e saja vetëm nga prodhimtaria vendore e grurit. Në nivel vjetor shteti ka nevojë për afër 339 mijë tonë grurë, prej të cilave, 280 mijë tonë nevojiten për prodhimin e bukës dhe parodive të bardha, afër 32 mijë tonë nevojiten për materiale të mbjelljes dhe afër 18 mijë tonë shkojnë për rezervat shtetërore, shkruan gazeta KOHA.
Maqedonia në vitet e kaluara përmbushte nevojat e saja për grurë në mesatare prej 60 për qind , ndërsa pjesa e mbetur importohet nga jashtë. Thënë ndryshe, nga prodhimtaria vendore sigurohen afër 200 mijë tonë grurë, ndërsa nevojat prej afër 100 mijë tonë të grurit dhe miellit plotësohen me importin nga Serbia, Bullgaria, Kroacia etj.
Problem tjetër i prodhimtarisë vendore të grurit është edhe rendimenti mesatar prej afër tre tonë për hektarë si dhe ulja e madhe e tokës bujqësore që punohet në vend. Analizat tregojnë se rreth një e treta e tokës bujqësore në Maqedoni nuk punohet, si rrjedhojë e orientimit të të rinjve në mërgim dhe uljes së fuqisë së aftë punuese në viset rurale, uljes së natalitetit , kostos së lartë të prodhimtarisë bujqësore etj. Gjithashtu në gati 30 vitet e kaluara në shtet shënohet ulje e madhe e sipërfaqeve të mbjella prej grurë. Sipas statistikës zyrtare në 25 vitet e kaluara tokat e mbjella me grurë janë zvogëluar për afër 33 mijë hektarë apo me fjalë të tjera është regjistruar ulje prej 113 mijë hektarë të tokës së mbjellë më grurë në 80 mijë hektarë në vitin 2016.
Agronomët thonë se mbulimi i pjesës dërmuese të grurit për nevojat e vendit kërkon edhe mbjelljen e sortave të reja që do të jetë më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, përdorimin e materialit të farave të certifikuara, si dhe shfrytëzimin sa më të madh të masave moderne agroteknike lidhur me lëvrimin dhe punimin e tokës, plehërimin para mbjelljes, ushqimit eventual gjatë vegjetacionit nëse mungon karboni etj. Gjithashtu rekomandohen edhe këshillimet më të shpeshta për fermerët me qëllim të dinë se me cilat preparate kimike të trajtojnë kultura bujqësore në varësi prej sezonit me më shumë diell apo më shumë thatësi.
“Maqedonia vite me radhë nuk kënaq nevojat e saja të grurit për prodhimin e bukës , andaj nevojitet që maksimalisht të shfrytëzohet kushtet e ndryshme për rritjen e prodhimtarisë vendore të grurit për çka ndahen mjete të mëdha për import. Në këtë drejtim nevojitet që të aktivizohen tokat që nuk punohen dhe që janë të përshtatshme për mbjelljen e grurit si dhe të vendosen teknologji dhe sorta të reja që do të japim edhe rendimente më të mëdha”, thotë për KOHA, profesori universitar Boris Anakiev.
Nga ana tjetër, profesori universitar Dane Boshev thotë se Maqedonia nevojitet ti kushtojë një vëmendje më të madhe kënaqjes së nevojave të saja për grurë për shkak se mund të ndodhin luhatje të mëdha të çmimeve të drithërave në bursat botërore dhe shtrenjtim i grurit si prodhim që tregtohet në bursë.
“Rendimentet jo të kënaqshme, por edhe cilësia që dikton në fund edhe çmimin në treg janë disa nga problemet kryesore të grurit të prodhuar në Maqedoni. Rritja e prodhimtarisë vendore krahas asaj se varet edhe nga kushtet klimatike, mund të realizohet në rast se përdoren fara cilësore, periudhë e përshtatshme për mbjellje, masa bashkëkohore të prodhimit, përfshi edhe ato të mbrojtjes së bimëve”, thekson Boshev.
Sipas tij, nevojitet të kryhet edhe analiza e truallit për të ditur se cilat lloje të plehrave duhet të përdoren për kultivimin e grurit, ndërsa një vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet edhe punimit të tokës, ushqimit të truallit si dhe mos-ngarkesës së tokës duke e mbjellë arrën vite me radhë më një kulturë të njëjtë.
Ndryshe, sivjet Ministria e Bujqësisë me një shumë prej katër milion euro , me rritjen e subvencioneve për grurin e prodhuar dhe të dorëzuar do të ndihmojë si prodhuesit vendor të grurit ashtu edhe mullisët në Maqedoni .Me masën e parë do të rritet minimumi i hapësirave të paraqitura për fitimin e totalit të shumës së programuar të subvencioneve për kulturat bujqësore. Kjo me fjalë të tjera , do të thotë se nëse deri tani 100 për qind të subvencioneve i kanë fituar bujqit që kanë paraqitur 0.3 deri më 10 hektarë, në të ardhmen për këtë kategori të bujqve do të paguhet 100 për qind e subvencioneve për hapësira të paraqitura deri më 20 hektarë.
Lartësia e subvencioneve për tokën e paraqitur bujqësore më të madhe se 100 hektarë, në vend 10 për qind të subvencioneve, do të jetë 20 për qind. Kjo masë do ti dedikohet kulturave bujqësore që do të ndihmojnë rritjen e qëndrueshmërisë së prodhimtarisë vendore grurit dhe kulturave të tjera bujqësore si dhe përmirësimit të konkurrencës së bujqësisë vendore. Gjithashtu çdo grumbullues i grurit i regjistruar në regjistrin e grumbulluesve që do të blejë grurë vendor të korrjes së vitit 2018 dhe atë më së voni deri më 15 shtator, do të fitojë subvencion prej një denarë për një kilogram grurë. Para dy vitesh, shteti intervenoi me 6000 denarë për hektar, apo dy denarë shtesë subvencion për kilogram për bujqit që kishin paraqitur prodhimin, si mbështetje për prodhimtari të qëndrueshme dhe për mbjellje edhe në vitin e ardhshëm . Kjo ishte një nga masat me të cilat shteti ndihmoi që fermerët të fitojnë së paku 11 denarë për kilogram të grurit të bukës, pas paralajmërimit të mullisëve në vitin 2016 se do të grumbullojnë çmimin me më së shumti tetë denarë për një kilogram. Në vitet e kaluara me qëllim të stabilizimit të tregut vendor të grurit në fuqi ishte edhe obligimi i përkohshëm që parashikonte se bizneset që do të importojnë një kilogram grurë , duhet të blejnë tre kilogramë grurë vendor, apo në rast se importojnë një kilogram miell, duhet të blejnë katër kilogram grurë. (koha.mk)