Zejnulla VESELI
Shkup, 8 prill – Askush nga institucionet përgjegjëse për pagesën e subvencioneve për bujqit nuk di të tregojë se kur do të fillohet me dhënien e subvencioneve. Pengesa e vetme për momentin për mos pagimin e subvencioneve është Ministria e Financave, shkruan gazeta KOHA. Dy institucionet përgjegjëse për pagesë të subvencioneve, Agjencia për pagesë dhe ministria e Bujqësisë, thonë se janë gati urdhëresat për fillimin e pagesave të subvencioneve, por arsyet se pse ende nuk fillohet me pagesë duhet t’i tregojë Ministria e Financave. “Nuk mund të them saktë se pse, apo cilat janë problemet që Ministria e Financave ende nuk ka filluar me pagesë të subvencioneve. Ndoshta behët fjalë për arsye teknike, sepse paratë për pagesë të subvencione janë të siguruara me programin, janë në buxhet dhe nuk e di arsyen e vërteta se pse nuk fillohet me pagesë. Më mirë do të ishte për këtë të pyetni në Ministrinë e Financave”, tha Mihaljo Cvetkov, ministër i Bujqësisë. Përgjigje identike morëm edhe nga kryetari i fermerëve Nikolla Stamenov, i cili u zotua se brenda javës së ardhshme të gjithë bujqit do t’i marrin subvencionet, sepse urdhëresat për pagesë janë të nënshkruara nga drejtori i Agjencionit për pagesë. “Me siguri bëhet fjalë për ndonjë pengesë teknike nga ana e Ministrisë së Financave. Besoj se javën që vjen do të tejkalohen këto pengesa teknike dhe do të fillohet me pagesën e subvencioneve”, thotë Stamenov. Ndryshe, nga Ministria e Financave nuk deshën të përgjigjen në pyetjen se pse po vonohen pagesat e subvencioneve për bujqit, e ne veçanti në pyetjen se a ka para kjo ministri për pagesën e subvencioneve dhe nëse ka kur do të fillojnë me pagesën. Nga ana tjetër, nga Agjencia për pagesë dy javë më parë informuan se në fillim do të paguhen subvencionet e mbetura për vitin 2015, pastaj do të fillohet edhe me pagesën e subvencioneve për vitin 2016 dhe se afati i fundit për pagesën e subvencioneve është deri në fund të muajit korrik të këtij viti. Mirëpo, edhe përkundër premtimeve të shumta të institucioneve përgjegjëse, shumë fermerë thonë se jo vetëm që në llogaritë e tyre ende nuk asnjë denar nga subvencionet për vitin 2015 dhe 2016, por sipas tyre subvencionet nuk përfundojnë në llogaritë e fermerëve të vërtetë, por tek të ashtuquajturit fermerë që në oborr nuk kanë asnjë pulë. Ditë më parë bujqit nga Strumica protestuan para Njësia rajonale për bujqësi në Strumicë dhe kërkuan që sa më shpejtë të fillohet me pagesë të subvencioneve për ndryshe ata do t’i braktisin fushat, sepse nuk kanë të holla për të mbjellë kulturat pranverore. “Kam dëgjuar se gjithçka është në rregull, por nuk ka para. Dokumentet janë nënshkruar, gati për pagesë, por nuk ka para. Kontaktova me disa funksionarë dhe thonë se nuk kanë para. Nëse kanë të holla ata do të na japin. Ku janë paratë? Edhe një person nga Ministria më tha se dokumentet janë gati para vitit të ri, por nuk ka para”, tha për KOHA, fermeri Sulejman Beslimoski.
Bllokimi i qendrës se qytetit në Sveti Nikolla për një orë me 50 traktorë të premten është porosia e fermerëve të këtij qyteti që sa më shpejtë të fillohet me pagesën e subvencioneve nga viti 2015. Porosia e bllokadës së bujqve nga Sveti Nikolla deri të qeveria aktuale ishte se me marrjen e borxheve kanë përfunduar mbjelljet vjeshtore, ndërsa tani për mbjelljet pranverore nuk kanë më para të blejnë karburante apo të shkojnë nëpër barnatoret bujqësore sepse llogaritë i kanë të bllokuara nga ana e institucioneve shtetërore dhe kompanive private. “Nuk dimë se çka të bëjmë. Familjet tona presim të ushqehen, shkollohen dhe jetojnë nga bujqësia”, deklaroi Lube Atanasov, anëtar i Shoqatës së Fermerëve nga Sveti Nikolla ku sipas tij 4000 bujq individual të këtij qyteti presin që në llogaritë e tyre të paguhen 4 milion euro për subvencionet e vitit 2015.
Ndryshe, shumë shoqata të fermerëve paralajmëruan se nëse nuk fillohet me pagesën e subvencioneve ata do të dalin në protesta, mirëpo pas shumë deklaratave dhe premtimeve nga institucionet shtetërore përkatëse se së shpejti do të fillohet me pagesën e subvencioneve, ata ende nuk kanë dalë në protesta. Sipas shoqatave të fermerëve, nëse edhe javën e ardhshme nuk mbahet premtimi dhe nuk fillohet me pagesën e subvencioneve, atëherë shteti do të ballafaqohet me protesta të shumta që do të organizohen para qeverisë dhe ne të gjitha qytetet e Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara