Pas më shumë se dhjetë viteve të subvencionimit të bujqve, shtrohet dilema se si të rritet rendimenti i tyre, si të rritet mesatarja prej 3300 litra qumështit në vit për lopë, se si të rritet sasia prej 4083 tonë në vit i mishit të gjedhit, si të dyfishohet, trefishohet, apo katërfishohet sasia prej 3400 tonë mish qengji me potencialin e madh drejt eksportit
Nga Fisnik PASHOLLI
Debatet për derdhjen e qindra milionë eurove në bujqësi dhe blegtori dhe efektet e tyre në rritjen e eksportit dhe uljen e importit në bujqësi, zgjasin me vite. Fakt është se subvencionet ndikuan në ruajtjen e interesimit për të punuar tokën, ndihmuan edhe firmat me të madhe qoftë përmes mbështetjes së drejtpërdrejt shtetërore direkt apo përmes mjeteve të IPARD, që të zgjerojnë edhe kapacitetet e tyre prodhuese.
Dilema është se tek ne shpesh kur flitet për importin dhe eksportin ngatërrojmë prodhimin dhe shitjen jashtë të prodhimeve ushqimore dhe bujqësore, apo konsumin e ushqimit dhe prodhimeve të bujqësore të prodhuara jashtë në tregun vendor. Apo harrojmë se edhe uji bën pjesë në ushqim, ku përkundër një prodhimi të kënaqshëm të ujit të rëndomtë dhe ujit të gazuar nga kapacitetet vendore, akoma me të madhe përdorim ujë nga jashtë edhe në institucionet shtetërore, në vend se të promovojmë prodhimet vendore duke përdorur më shumë prodhimet vendore.
Dilema shtrohen pse më shumë nuk përdoret qumështi vendor dhe pse qumështi nga jashtë ka vërshuar tregun vendor falë edhe reklamës, traditës, pozicionimit në raftet e supermarketeve vendore etj.
Pas më shumë se dhjetë viteve të subvencionimit të bujqve, shtrohet dilema se si të rritet rendimenti i tyre, si të rritet mesatarja prej 3300 litra qumështit në vit për lopë, se si të rritet sasia prej 4083 tonë në vit i mishit të gjedhit, si të dyfishohet, trefishohet, apo katërfishohet sasia prej 3400 tonë mish qengji me potencialin e madh drejt eksportit.
Si të rritet numri i kooperativave si e vetmja mënyrë të bashkohet puna dhe prodhimi nga parcelat e vogla me 2 hektarë që dominojnë bujqësinë vendore. Si të interesohen edhe të rinjtë që në vend të vrapojnë për një punë shteti prej 300 euro të fitojnë së paku 600 euro në muaj nga bujqësia apo blegtoria.
Si të rrisim numrin e fermave familjare-bujqësore apo blegtorale, apo të kthejmë bujqësinë në biznes në vend të mbijetesës. Si të gjejmë mënyrën që në vend me mish nga Polonia, Austria, Brazili të ushqehemi me mish të prodhuar nga blegtorët tanë. Apo si të rrisim cilësinë dhe rendimentit e grurit nga tre tonë në mesatare në 5 apo 6 tonë që do të zëvendësojë edhe importin e grurit nga jashtë.
Në fund të përmendim edhe përvojat e Polonisë para aderimit në BE. Para referendumit për hyrje në BE, ka ekzistuar edhe frika se si do të votojnë bujqit që kanë pasur drojën nga ushqimi i lirë evropian i mbështetur nga subvencionet e majme. Megjithatë autoritetet polake kanë informuar hollësisht dhe në detaje fermerët e tyre se çka i prêt në BE, e cila insiston në rritjen e cilësisë së ushqimit. Me vendosjen e një sistemi të mirë të këshilltarëve bujqësore, dhe të një menaxhimi të mirë, Polonia në dhjetë vite ka tërhequr më shumë se 35 miliardë euro nga BE si pagesa të drejtpërdrejta, ushqimi që prodhojnë fermerët polak është shndërruar në një nga adutet kryesore të eksportit, ndërsa edhe me vendosjen e subvencioneve për hektarë tokë, është ulur dukshëm edhe orientimit për të shitur tokën. Pra përvojat polake udhëzojnë se në fazën paraqasëse ku së shpejti do të gjendemi edhe ne si shtet pas tejkalimit të problemeve të natyrës politike, dhe fillimit të negociatave nevojitet që të ndihmojmë fermerët edhe me zgjidhjen dhe lehtësimin e procedurave dhe përmbushjen e kritereve për mjetet që do të jenë në disponim, me qëllim që ato të shfrytëzohen në mënyrë maksimale. (koha.mk)