Bujqit nuk janë përfshirë deri tani në ndihën ekonomike për të kapërcyer problemet e shkaktuara nga koronavirusi. Andaj kërkohet që kompetentët sa më parë të analizojnë çështjet më urgjente që mundojnë bujqit dhe të dalë me masa konkrete
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 prill – Mbyllja fillestare dhe hapja e serishme e tregjeve të gjelbërta, ulja e shitblerjes së prodhimeve bujqësore, pikëpyetje të mëdha lidhur me eksportin e qengjave, por edhe të prodhimeve të tjera bujqësore në sezonin e pranverës. Ankesa nga ana e fermerëve në Vallandovë, Strumiçë, dhe vende tjera lidhur me mungesën e interesimit për grumbullimin e lakrës dhe kërkesa që shteti të intervenojë për të grumbulluar sasitë e prodhuara me qëllim që të mos kalben. Njëherësh janë mbyllur edhe tregjet e shitblerjes së kafshëve. Gjithashtu bujqit nuk janë përfshirë deri tani në ndihën ekonomike për të kapërcyer problemet e shkaktuara nga koronavirusi. Bujqit në teren thonë se kompetentët nevojitet që sa më parë të analizojë çështjet më urgjente që mundojnë bujqit dhe të dalë me ndihma konkrete.
“Qeveria nevojitet sa më parë të kryejë analizat e nevojshme dhe tu dalë në ndihmë të gjithë prodhuesve bujqësorë dhe të blegtorisë. Problemet në teren janë nga më të ndryshmet që nga thjeshtësimi dhe sigurimi i lejes edhe për fuqinë e nevojshme punëtore për punët e fushës që nuk duhet të vlejë vetëm për një fermer, e deri tek ndihma më e shpejtë dhe konkrete për llojet e ndryshme të prodhimtarisë bujqësore”, thotë anëtarë i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Memet Sinani. Sipas tij, ndihma nevojitet të ofrohet për të gjitha kulturat që mbillen në pranverë , të lehtësohet furnizimi me fara për misrin dhe kulturat e tjera, të paguhen më shpejt të hollat e premtuara prej 6000 denarë për hektarë për grurë për vitet 2016, 2017 dhe 2018, të zgjidhen problemet e vaditjes së tokave punuese, të pastrohen kanalet për vaditje e kështu me radhë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e tjerë të bujqve thonë se problemet e tyre po përsëriten nga viti në vit. “Një nga problemet më të mëdha në prodhimtarinë bujqësore në vend është se që në fillim të mbjelljeve në pranverë apo vjeshtë nuk kemi një qasje më serioze dhe analiza , apo me fjalë të tjera a mungon prodhimtaria me plan konkret. Tani në kushtet e krizës një sfidë e madhe do të jetë plasmani i perimeve të hershme që kërkon masa urgjente.”, thotë Risto Velkov nga Lidhja e Sindikatave të prodhuesve bujqësor. Sipas tij, subvencionet ndihmojnë, por nuk duhet që fermerët të vrapojnë pas tyre.
“Bujqit në 30 vitet e kaluara shumë pak kanë qenë të përfshirë në politikat zhvillimore të prodhimtarisë bujqësore në vend. Andaj krahas shkencës dhe politikës , nevojitet që sa më shumë të inkuadrohen në strategjinë për avancimin e bujqësisë edhe fermerët të suksesshëm me nga 30 vjet përvojë. Me fjalë të tjera, nevojitet më shumë të dëgjohet edhe zëri i atyre që mbajnë shatin në dorë”, shton më tej Vellkov. Kohë më parë, ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, theksoi se përkundër faktit se gjendemi në gjendje të jashtëzakonshme, kjo nuk nënkupton se duhet të ndërpritet aktivitetet bujqësore dhe puna e këtij dikasteri dhe institucioneve të tjera që janë në shërbim të bujqve. Ai shtoi më tej se po vazhdon pagesa e subvencioneve, ndërsa qytetarët duhet të jenë të qetë për shkak se do të kemi ushqim të mjaftueshëm, dhe është mobilizuar e tërë industria ushqimore. Ndryshe, është zgjatur deri më 30 prill afati për nënshkrimin e kontratave për prodhim dhe blerje të duhanit për prodhimtarinë e vitit 2020, si rrjedhojë e pandemisë
Është rritur në një total prej 2500 denarë edhe subvencioni për blegtorët që kultivojnë delet. Gjithashtu si masë anti-krizë, është paralajmëruar se çmimi grumbullues për lakrën deri në 20 prill do të jetë së paku 15 denarë për kilogram, që është dakorduar në takimin me prodhuesit. Pritet që Inspektorati bujqësor të kryejë kontrolle të përforcuara me qëllim që të mos manipulohen çmimet. (koha.mk)