Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 qershor – Bujqësia në Maqedoni vështirë se mund të mbijetojë dhe të ketë perspektivë më të madhe nëse mungon përkrahja shtetërore, gjegjësisht subvencionet. Bile edhe me ndihmën e saj, bujqit e kanë vështirë të jetojnë nga mundi i tyre thonë nga shoqatat bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Agronomët thonë se gjatë shqyrtimit të efektit të tyre ndaj punës së bujqve dhe zhvillimit ekonomik, duhet marrë parasysh si efektin social ashtu edhe atë ekonomik.
DEGË MË PRODUKTIVITET TË ULËT
Subvencionet bujqësore në një pjesë të madhe e kanë arsyetuar qëllimin e tyre në dhjetë vitet e fundit dhe kanë ndihmuar mjaft zhvillimin e bujqësisë në Maqedonisë. Në mungesë të tyre, një pjesë e konsiderueshme e bujqve do të hiqnin dorë nga marrja me bujqësi. Edhe pse mungojnë analiza serioze dhe gjithëpërfshirëse për ndikimin e përkrahjes financiare në bujqësi dhe vëllimit të prodhimtarisë bujqësore dhe eksportit, nuk mund të mohohet rritja e përgjithshme e prodhimtarisë dhe eksporti i prodhimeve bujqësore. Efektet më evidente janë në eksportin e duhanit, verës, perimeve e kështu me radhë. Shoqatat e bujqve vlerësojnë se subvencionet në bujqësi kontribuojnë mjaft, pasi kjo veprimtari bën pjesë në degë më produktivitet të ulët, ku më gjatë dhe më rëndë qarkullohen të hollat, andaj subvencionet në një pjesë të madhe mbulojnë humbjet në punën e përditshme të bujqve. Kjo për shkak se bujqësia është veprimtari me profit jo aq të madh, si për shembull, tregtia ose shërbimet, andaj subvencionet jo vetëm te ne, por edhe në BE janë shumë të larta dhe përfshijnë një pjesë të madhe të arkave shtetërore të shteteve evropiane. “Pa subvencione bujqit do të jenë jo-konkurrent dhe do të mbesin pa punë. Ballafaqohemi me çmimet e prodhimeve bujqësore që grumbullohen me çmime shumë të ulëta. Nga ana tjetër në bujqësi është rritur çmimi i fuqisë së punës si dhe janë shtrenjtuar mjaft repromaterialet, duke filluar nga dyfishimi i kostos vetëm të plehrave artificial që para disa vitesh kushtonin 500-700 denarë për 50 kilogram, ndërsa sot me çmim të tillë paguhet 25 kilogram i plehrave artificial. Gjithashtu çmime të larta kanë edhe të gjithë mjetet e tjera mbrojtëse dhe mjetet e tjera në prodhimtari”, thotë për KOHA Ljupço Arizanov nga Shoqata bujqësore “AgroTikvesh 2002”.
Në ndërkohë, Ljubica Xhoniq, prodhuese e perimeve vlerëson se subvencionet bujqësore ndikojnë pozitivisht në prodhimtarinë bujqësore, por megjithatë nevojitet kohë që të kenë ndikim më të madh në këtë sektor. “ Jo se subvencionet nuk i ndihmojnë bujqësisë, për shkak se ato mjete hyjnë tek bujqit. Por fakt është se disa bujq i shfrytëzojnë për zhvillimin e prodhimtarisë, e disa të tjerë për komponentën sociale, ndërsa të tjerët nuk e dinë se si ti shfrytëzojnë për zhvillim. Sidoqoftë, ato ndikojnë pozitivisht për punën tonë , së paku të mbijetojë fermeri , ndërsa në kohë më të mira edhe të zhvillohet. Pra, ky është një proces i gjatë dhe nevojitet më shumë durim , si dhe më shumë trajnime dhe edukim të bujqve“, thekson Xhoniq. Ndër shkaqet kryesore të mungesës së efektit më të madh të ndihmës shtetërore për bujqësinë, është edhe fakti se bujqit nuk dalin me ofertë të organizuar gjatë plasmanit në treg.
“ Organizimi i bujqve lidhur me plasmanin e prodhimeve të tyre është mjaft i ulët, për shkak se prodhimtaria bujqësore në Maqedoni është e copëzuar. Vështirë është të ofrohet në vazhdimësi cilësi dhe sasi më të mëdha të prodhimit të standardizuar. Andaj, Federata e fermerëve si dhe institucionet e tjera shtetërore punojnë që të orientojnë bujqit se si prodhimtaria e tyre të jetë më e suksesshme”, thekson Xhoniq. Sipas saj, nevojitet bashkimi i prodhimtarisë bujqësore përmes shoqatave bujqësore, të bujqve në një sektor, mbjellja e një kulture bujqësore me standarde të njëjta e kështu me radhë.
INVESTIMET QË S’KTHEHEN SHPEJTË
Agronomët thonë se përkrahja shtetërore ka për qëllim të krijojë prodhimtari ekonomike, ku prioritet i çdo fermeri duhet të jetë realizimi i rendimenteve sa më të mëdha dhe puna rentabile. Sipas profesorit Boris Anakiev, bujqësia i nënshtrohet ndryshimeve të paparashikueshme klimatike, andaj nevojitet të ekzistojë mbrojtje shtetërore, ndërsa ekonomia bujqësore nënkupton edhe konkurrencën e prodhimeve tona në tregjet e huaja. “Përkrahja financiare për bujqit bazohet në mbështetjen e ushqimit cilësor dhe të sigurt për popullatën dhe e dyta , bujqit duhet që me standardin e tyre ti afrohen popullatës urbane .Kjo paraqet një model evropian që e kemi pranuar edhe ne si shtet”, thekson Anakiev. Sipas tij mbetet që bujku vetë të vendosë se për çka do të përdorë mjetet.
“Bujku i fiton mjetet për hapësirë të mbjellë bujqësore. Ai vetë duhet të vendosë dhe të vlerësojë se sa do të prodhojë, sa do të investojë në prodhimtari, dhe sa në rritjen e standardit të tij , të meremetojë shtëpinë, të blejë mobilje e kështu me radhë. Nëse ai fiton mjete për më shumë kultura që i mbjell, atëherë grumbullohen mjaft para që duhet drejt të shfrytëzohen“, thekson për KOHA, Anakiev. Në ndërkohë, analizat tregojnë se investimet në bujqësi nuk kthehen aq shpejt, dhe se nevojitet një kohë më e gjatë për qarkullimin e kapitalit. Problem shtesë janë edhe ikja e të rinjve nga fshatrat dhe humbja e interesimit të tyre të merren me bujqësi, disponimi me mekanizëm të vjetër bujqësor, mungesa e kredive të volitshme për fermerët, betonizimi i një pjese të madhe të tokës bujqësore, vaditja jo e kënaqshme e tokave bujqësore etj.
Në të ardhmen, sfidë për bujqësinë në Maqedoni mbeten investimet më të mëdha që nënkuptojnë edhe konkurrencë më të madhe, si dhe prodhime më cilësore që do të sjellin edhe përfitime më të mëdha për bujqit. Njohësit e bujqësisë dhe blegtorisë vlerësojnë se subvencionet kanë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të bujqësisë, për shkak se ajo është një veprimtari moderne që kërkon investime të mëdha dhe pa stimulime është e udhëzuar të dështojë. Bile në praktikë, mjaft masa që u vendosën si për ndërtimin e bodrumeve të vogla të verës që me kohë u rritën në firma serioze , përparimi i madh në industrinë e duhanit tregojnë se mënyra e financimit, organizimit dhe një sërë masash sollën deri te zhvillimi gradual i një pjese të sektorit bujqësor ku pritet që gradualisht edhe degë të tjera të kapin hapin ndaj një prodhimi më cilësor dhe më konkurrues.
Nga ana tjetër, bujqit kërkojnë nga institucionet shtetërore investime më të mëdha në rrugë, qendra grumbulluese, frigoriferë ku do të realizohet plasmani i sigurt si dhe mbrojtja e tyre përmes marrëveshjeve për çmimet minimale grumbulluese për të gjitha llojet e prodhimeve bujqësore. Gjithashtu krahas momentit social, më shumë vëmendje nevojitet t’i kushtohet komponentës zhvillimore, rritjes së mëtejshme të konkurrencës në bujqësi, adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike, sigurimit të të mbjellave, planifikimit dhe pranimit të masave më të mëdha mbrojtëse ndaj ndryshimit të motit, e kështu me radhë.
BE, NJË E TRETA E BUXHETIT PËR BUJQËSINË
Edhe në Bashkimin Evropian, një vëmendje e veçantë i kushtohet mbështetjes financiare të bujqësisë. Për këtë flet edhe fakti se prej 143.5 miliardë euro të vlerës së buxhetit të Bashkimit Evropian, gati 67 miliardë euro dedikohen për stimulimin e rritjes ekonomike, punësimit dhe konkurrencës, ndërsa 43 miliardë euro ndahen për zhvillimin e bujqësisë
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara