Kryefjala e mbijetesës së bujqve dhe blegtorëve mbetet organizimi i punës në kooperativa, por të mbështetura më shumë nga shteti me mjete më të mëdha dhe të pakthyeshme, me pagesën e kontabilistit apo menaxherit së paku në tre vitet e para, të dhënies edhe subvencioneve më të larta për fermerët që organizohen në kooperativë
Nga Fisnik PASHOLLI
Bujqësia në Maqedoni shumë ngadalë po transformohet nga një veprimtari tradicionale, që dikur përveç tokës shfrytëzonte edhe fuqinë punëtore familjare me më shumë fëmijë, në bujqësi moderne ku, përveç këtyre dy elementeve, përfshihen edhe kapitali dhe dituria si faktor kryesor të prodhimit. Shumë ngadalë po rrjedh transformimi nga motivi kryesor në të kaluarën të marrjes me bujqësi, e që ishte sigurimi i bukës së gojës dhe mbijetesës ekzistenciale së familjes, në motivin kryesor të çdo veprimtarie në ekonominë moderne, të profitit.
Bujqësia sot në Maqedoni, është një degë ekonomike nga e cila jetojnë afër 200 mijë qytetarë, me të ardhura mujore jo më shumë se 12 mijë denarë, sa është paga minimale në shtet. Njëherazi për bujqësinë apo për blegtorinë, ngjashëm me futbollin, të gjithë janë specialistë, të gjithë ditur, dhe atë jo vetëm në vendbanimet rurale por edhe ato urbane, jo vetëm në fshat por edhe në qytet.
Shkurt e shqip, ekziston vetëm një model i prodhimtarisë bujqësore, asaj që prodhon diçka për çka ekziston blerës, apo ajo çka mund të shitet. Çdo gjë tjetër është debat që sjell humbje kohe.
Nga ana tjetër, bujqësia si fabrikë që zhvillon punën e saj në ambient të hapur, e ndikuar edhe nga dielli, era, shiu edhe nga bora, paraqet degën më të ndërlikuar ekonomike me një prodhimtari të shumtë bimore dhe të kafshëve.
Bujqësia në Maqedonia vuan nga mungesa e kapaciteteve magazinuese, grumbulluese, dhe etiketuese të mallrave bujqësore të zonave të ndryshme bujqësor.Vuan edhe nga mbiprodhimi, dhe mungesa e një rajonalizimi të qartë se ku duhet më shumë të favorizohet prodhimtaria bimore , dhe ku ajo blegtorale.
Shtrohet edhe çështja se sa në të vërtetë tek ne funksionojnë qendrat moderne grumbulluese të pemë perimeve që do të ndajnë për shembull domatet sipas kategorisë për konsum apo për industrinë përpunuese , që do të klasifikojnë mollët sipas kategorisë për eksport në shtetet evropiane, për shitje në tregjet vendore dhe rajonale apo për përpunim në industritë e shteteve edhe jashtë Evropës..
Nëse bujqësinë e paramendojmë si një shtëpi, atëherë të gjithë e ndërtojnë kulmin apo flasin për potencialin dhe mundësinë që ajo ofron, ndërsa e harrojnë themelin e shtëpisë apo realitetin e bujqësisë. Realiteti i hidhur i bujqësisë sot në vend dhe problem kryesor i saj është mungesa e një plasmani të sigurt të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.
Nuk ka vit që nuk hidhen por edhe kalben një pjesë e konsiderueshme e pemë –perimeve . Fermerët në shtet ankohen se pak respektohet prodhimtaria e kontraktuar , nga njëra anë rriten çmimet prodhuese , ndërsa nga ana tjetër , çmimet shitëse janë të ulëta . Këtë e dëshmojnë edhe problemet me çmimin e ulët të lakrës dhe qengjit, por edhe grurit në vend së paku 12 denarë në vitet e kaluara është grumbulluar edhe për 7 deri 8 denarë. Gjithashtu edhe prodhuesit e rrushit, domateve , mollëve , por edhe fermerët që prodhojnë qumësht , ankohen me vite për çmime tejet të ulëta të grumbullimit që shpesh nuk justifikojnë as koston e prodhimit.
Cila është dhe mbetet alternativa. Kryefjala e mbijetesës së bujqve dhe blegtorëve mbetet organizimi i punës në kooperativa, por të mbështetura më shumë nga shteti me mjete më të mëdha dhe të pakthyeshme, me pagesën e kontabilistit apo menaxherit së paku në tre vitet e para, të dhënies edhe subvencioneve më të larta për fermerët që organizohen në kooperativë. Njëherazi nevojitet më shumë të dëgjohet edhe fjala dhe përvoja e bujqve të suksesshëm, si dhe të orientohemi më shumë në planifikimin nga poshtë në vend se nga lartë të bujqësisë. Pse edhe tek ne si për fillim dhe si pilot projekt të mos shitet qumështi nga automati, si një model i shitjes së qumështit të freskët,dhe të papërpunuar, që paraqet zgjidhje të mirë për fermerët e vegjël që shesin direkt deri blerësit. Konsumatorët do të fitojnë qumësht të pastër natyral të ftohur në katër gradë celsius dhe pa asnjë materie shtesë. Bile kjo paraqet edhe mbështetjen ndaj trendin të ushqimit të shëndoshë. Pse edhe në Maqedoni nuk mund të shitet qumështi përmes automatit që kënaq të gjitha standardet higjienike dhe shëndetësore , që do të ishte nën kontrollin e autoriteteve përkatëse. Së pari së paku si projekt i popullarizuar që do të mbështetet nga kompanitë e ndryshme , por edhe nga shteti me lehtësim të ndryshme . Në Itali ekzistojnë me mijëra automatë të tillë , si dhe qindra në Slloveni dhe Kroaci, që paraqesin model të shitjes me pakicë jashtë shitoreve, mund të vendosen në vendet që i përcakton komuna, ndërsa blerësit fitojnë qumësht të freskët fshati , ndërsa një pjesë e fermerëve ju ikin tregtarëve dhe sigurojnë të ardhura më të mëdha në vend se për shembull të shesin qumështin për 15 denarë, mund të shesin për së paku 30 denarë. Bile në Austri dhe Gjermani ekzistojnë edhe aparate ku fermerët direkt dhe pa ndërmjetësimin e tregtarëve shesin pemë perimet e tyre, mishin e thatë, djathin, mjaltin etj. Bile në Maqedoni që shquhet me prodhimtari të pemëve të ndryshme, edhe sot e kësaj dite fare pak ekzistojnë brende të njohura të marmelatave,apo reçelit të vishnjes apo kumbullave . Apo thënë ndryshe , nëse turistët kërkojnë të blejnë gjatë vajtje ardhjes së tyre në vend një prodhim unik, karakteristik apo dallues apo një brend, në gishta mund të numërohen prodhime të tilla. Na mungojnë prodhimet e ndryshme ekologjike , të bimëve aromatike, kozmetika ekologjike për shembull me ciklin e mbyllur nga prodhimi deri tek plasmani në treg. Të urojmë dhe shpresojmë se bujqësia dhe blegtoria e vendit më shumë do të orientohet ndaj eksportit me ofertë më madhe në sasi dhe cilësi, me kapacitete në rritje të qendrave të grumbullimit, me prodhime inovative dhe me vlerë të shtuar si dhe me krijimin e brendeve që nesër shumë më lehtë do ti mund të shiten në tregjet rajonale dhe botërore. (koha.mk)