Përvojat e shteteve të suksesshme bujqësore si Holanda, Spanja apo Italia tregojnë se me një politikë afatgjate stimuluese agrare është krijuar një sistem i tillë, ku bujqit jo vetëm që mund të ekzistojnë nga mundi dhe djersa e tyre, por edhe të sigurojnë jetesë të mirë për familjet e tyre dhe të investojnë në modernizimin e fermave të tyre
Nga Fisnik PASHOLLI
Nëse para 100 vitesh, një revolucion të vërtetë në prodhimtarinë bujqësore e shkaktuan makineritë, nëse para 50 vitesh ndryshime të mëdha solli përdorim i plehrave kimikë, në aktualitetin e sotëm dhe të nesërm një ndryshim thelbësor po sjellin gradualisht, dhe teksa pritet të sjellin në të ardhmen përdorimi më i madh i shkencës dhe teknologjisë informatike në prodhimin e ushqimit. Zbatimi i saj në praktikë më nuk është punë mode, por nevojë e kohës.
Përvojat e shteteve të suksesshme bujqësore si Holanda, Spanja apo Italia tregojnë se me një politikë afatgjate stimuluese agrare është krijuar një sistem i tillë, ku bujqit jo vetëm që mund të ekzistojnë nga mundi dhe djersa e tyre, por edhe të sigurojnë jetesë të mirë për familjet e tyre dhe të investojnë në modernizimin e fermave të tyre. Në këtë drejtim një rol të madh ka luajtur edhe puna në kooperativa, ku bujqit kanë bashkuar fuqinë e tyre duke rritur rendimentet dhe efikasitetin e punës, duke investuar në vazhdimësi edhe në teknologji dhe risi të ndryshme.
Njëherazi nevojitet një mbështetje më e madhe e shtetit për instalimin gradual, dhe për çdo vit nga pak të masave të reja si në aspektin e mbështetjes financiare, por edhe inkurajimit dhe edukimit se megjithatë përdorimi i teknologjisë në fund ju shpaguhet bujqve. Ndoshta nuk është e udhës të krahasohemi me një Holandë që renditet në vendin e dytë në botë për eksportin e prodhimeve bujqësore me afër 92 miliardë dollar, menjëherë pas SHBA-ve. Mirëpo që ka 161 herë më pak tokë bujqësore në raport me amerikanët. Pra, madhësia jo çdo herë është kryesorja si resurs prodhimi i agrarit. Në vitet 90-të të shekullit të kaluar, Holanda filloi me programin e digjitalizimit të bujqësisë nën moton “dy herë më shumë ushqim me dyfish më pak mjete”, që 30 vite më vonë dëshmoi se edhe predispozitat gjeografike, jo çdo herë janë pengesë për rezultatet për pasur zili.
Nëse një shtet që një pjesë të mirë gjenden nën nivelin e ujit ka arritur të renditet në gjigand bujqësor, ia vlen të pyetemi se çka duhet të bëjmë ne me një traditë të madhe bujqësore, me cilat resurse disponojmë, dhe a ka gjasa së paku ti “vjedhim”, një pjesë të përvojave të tyre si dhe ti përdorim për nevojat tona.
Ndoshta, një nga problemet kryesore të bujqësisë në vend është edhe prodhimi nga pak i të gjithë prodhimeve, edhe pemë edhe perime edhe bagëti me metodat që dikur i kanë përdorur edhe babai edhe gjyshi, duke mos mbajtur llogari për ndryshimet e hatashme në 30 vitet e fundit, që nga globalizimi, ndryshimi i madh i klimës, humbja e tregut të ish hapësirës jugosllave, hapja e tregut për prodhimet nga e tëra bota ku konsumojmë hudhra prej Kine apo lakra prej Spanje. Apo edhe mungesa akoma e analizave të sakta se sa të hollat e derdhura në subvencione kanë rritur nëpër vite saktësisht prodhimtarinë në degët e ndryshme. Apo ndoshta nevojitet që targeti në zhvillimin bujqësor të jetë që për një vit bujqësor nga muaji qershor në muajin tjetër qershor, të fokusohemi në përmirësimin më të madh të gjendjes në vetëm dy apo tre sektorë të caktuar që me vite vuajnë nga problemet e ndryshme, dhe jo që fokusi të jetë në totalin e zhvillimit të bujqësisë nga pak e nga pak.
Përvojat e Holandës tregojnë se shtetet me eksport të madh bujqësor kanë specializim të prodhimit, inovacione, logjistikë dhe sipërmarrësi në prodhimin e ushqimit. Gjithashtu ky shtet ka edhe import të madh të ushqimit të kafshëve dhe lëndëve të para që më vonë përpunohen në prodhime ushqimore të cilësi së lartë të njohur në tërë botën që shiten në tregjet e jashtme.
Një tjetër shembull i resurseve të kufizuara natyrore dhe prodhimit të madh të ushqimit , është edhe Izraeli që për nivelin e lartë të bujqësisë mund ti falënderohet bashkëpunimit të shkencëtarëve, administratës, shërbimeve këshilluese, fermerëve , industrisë dhe mbi të gjitha bashkimit të prodhuesve. Ndonëse importojnë drithë, sheqet, lule diell dhe pak mish, ato prodhojnë 80 për qind të nevojave vendore për ushqim dhe janë një “serrë evropiane”, prej nga muajt e dimrit në Evropë importohen lloje të shumta të pemë perimeve prej 310 mijë hektarëve tokë, prej të cilave gjysma vaditet. Mungesa e ujit dhe jetës në shkretëtirë është shndërruar në përparësi ku Izraeli është lider i prodhimtarisë bujqësore në shkretëtirë , vaditjes pikë për pike dhe desalinizimit. Bile në tokat e shkreta dhe në një teren përplot me rërë, kultivohen peshqit në basenet me ujë të njelmët për një biznes fitimprurës. Më vonë pasi uji shfrytëzohet për rritjen e peshqve, i njëjti përdoret për vaditjen e hurmave dhe ullinjve. Gjithashtu prodhimi nën serra është përgjigja ndaj kufizimeve të truallit, tokës dhe klimës, duke avancuar prodhimin gjatë tërë vitit me përdorimin minimal të energjisë dhe kemikaljeve. Një prodhimtari e tillë është rritur nga 900 hektarë në vitet 80-të në 13 mijë hektarë në vitet e fundit.
Tek ne akoma në një pjesë të madhe edhe pse kemi mundësi që vetë kryesisht të prodhojmë qumësht për nevojat tona dhe të eksportojmë qumështin dhe prodhimet e qumështit, në një pjesë të madhe konsumojnë qumësht nga Bosnje e Hercegovina apo Serbia. Apo përdorin për ngrënie djathëra të bardhë apo të verdhë, ajkë nga Gjermania apo Serbia. Gjithashtu përdorin për përgatitjen e gjellëve kryesisht mish gjedhi apo pule nga Polonia, Austria apo Brazili, në vend se të konsumojmë mish nga fermat tona. (koha.mk)