Edhe pse ka lindur dhe vazhdon të jetoj në shtetin belg, planet dhe dëshirat e harpistes, Bujana Ameti, lidhen ngushtë me mëmëdheun. “Dëshira ime është që më vonë të bëhem solo harpiste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Tiranë, apo edhe e Filarmonisë së Kosovës. Të themeloj një shkollë të harpës në vendet shqiptare, Tiranë, Prishtinë, Luginë apo edhe në Kumanovë”
Bujana, është emri i një vajze shqiptare e cila, jeton në Belgjikë, dhe premton shumë në sferën e artit muzikor, përkatësisht në fushën e harpës, instrumentit të famshëm për formën e veçantë, me një numër telash, që rrëshqasin në një “kënd” me tingullin e saj, teksa tërhiqen me gishta nga harpisti apo harpistja. E lindur në Liège të Belgjikës, 15 vjeçja, Bujana Ameti, me prejardhje nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, ka filluar të luajë në harpë qysh para shtatë vitesh. Primor Sluchin, një harpiste e njohur e solo “Operës së Liege-it”, ka qenë mësuesja e parë tek e cila, Ameti i ka nisur hapat e parë, në rrugëtimin e saj, drejt destinacionit të suksesit artistik. Për Albanian Post, Bujana, rrëfen versionin e saj, se “si ra në dashuri” me instrumentin e harpës.
“Kur isha e vogël xhaxhai im, për ditëlindjen e pestë më dhuroi një violinë dhe prindërit e mi deshën të më regjistronin në një shkollë të muzikës, për çka prita disa vjet. Në ndërkohë pata hasur në një libër ku dukej një harpë, dhe më bëri përshtypje forma e saj e veçantë. Pastaj kur e dëgjova tingullin e saj, e desha edhe më shumë”, tha ajo. Ameti, ka marr pjesë në disa kompeticione muzikore, nga shumë prej të cilave në shtëpi është kthyer me çmime të ndryshme. “Harpegio”, “Harpe Felix Godefroid”, “Concours Français de la Harpe”, janë vetëm disa nga garat muzikore, në të cilat artistja me prejardhje shqiptare triumfoi duke fituar çmime në kategori si “Çmimi i parë”, “Çmimi i parë duo” e “Çmimi i shpresave”. “Çmimet më bënë që të punoj edhe më shumë, por edhe më sollën kënaqësi, pastaj kam njohur edhe shumë fëmijë nga e gjithë bota”, thotë ajo për Albanian Post, teksa shpjegon të mirat që i sollën fitoret në këto kompeticione.
Mes tjerash, familja e saj është përkujdesur që Bujana të shkollohet në institucione adekuate, me renome në fushën e muzikës, duke e regjistruar atë në një shkollë private të njohur në mbarë Belgjikën – “Musica Mundi School”, e që vijimi i mësimeve brenda saj përfshin një kosto të lartë pagese. Por, sipas harpistes, Bujanës, kësaj shkolle i mungon diçka! “Fatkeqësisht , ani pse ka nxënës nga e gjithë bota, përfshirë këtu, Australinë, Korenë, Kinën, Holandën, Turqinë e Rusinë, brenda saj nuk është asnjë nxënës me prejardhje shqiptare. Madje, unë nuk njoh tjetër shqiptar që merret me harpë, por do të kisha dashur shumë që në të ardhmen e afërt të ketë të tillë”, thotë Bujana.
Tre vjet më parë, Bujana Ameti, bashkë me harpën e saj udhëtuan drejt selisë së Ambasadës së Kosovës, në Bruksel, ku ishte e ftuar për të interpretuar në festën e organizuar për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. “Performimi im në atë eveniment u organizua nga Albinot Bimbashi dhe padyshim ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ajo që më ka bërë përshtypje ishte trajtimi dhe mirësjellja e përfaqësuesve të ambasadës, e në veçanti e ambasadorit të atëhershëm, Bernard Nikaj”, tha ajo. Mes performancash që vlen të theksohen është edhe shfaqja në skenë krah violonçelistit, Olsi Leka, i cili është çelist i parë në Orkestrën Nacionale të Belgjikës.
Edhe pse ka lindur dhe vazhdon të jetoj në shtetin belg, planet dhe dëshirat e harpistes, Bujana Ameti, lidhen ngushtë me mëmëdheun. “Dëshira ime është që më vonë të bëhem solo harpiste e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Tiranë, apo edhe e Filarmonisë së Kosovës. Të themeloj një shkollë të harpës në vendet shqiptare, Tiranë, Prishtinë, Luginë apo edhe në Kumanovë”, thotë ajo. Për të ardhmen, artistja shqiptare, planifikon t’i zgjerojë njohuritë e saj mbi harpën, për çka planifikon të studiojë në ndonjë universitet prestigjioz, teksa karshi kësaj, anash nuk e lë as fushën e biokimisë, e cila po ashtu është pjesë e planeve universitare të Bujana Ametit. Ndryshe, harpat kanë qenë të njohura që nga antikiteti në Azi, Afrikë dhe Evropë, dhe datojnë të paktën 3 mijë vjet para lindjes së Krishtit.
Instrumenti kishte popullaritet të madh në Evropë gjatë Mesjetës dhe Rilindjes, ku evoluoi në një gamë të gjerë variantesh me teknologji të reja dhe u përhap në kolonitë e Evropës, duke gjetur popullaritet të veçantë në Amerikën Latine. Sot, harpa është një instrument që përdoret në të gjithë globin, dhe roli i saj në muzikë shënon rëndësi të veçantë.