Të dhënat zyrtare nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se gjatë vitit 2019 janë regjistruar vetëm se 3 raste të brutalitetit të ushtruar policor ndaj qytetarëve, ndërsa në vitin 2020 për 9 muaj janë regjistruar 5 raste të reja. Tema për brutalitetin policor u bë aktuale pasi që një video incizim në të cilin shihet se si policia rreh një të ri të përkatësisë rome
Destan JONUZI
Shkup, 29 shtator – Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, vitin e kaluar ka pasur tri lëndë të hapura për brutalitet policor, ndërsa këtë vitit deri më tani ka gjithsej 15. Tema për brutalitetin policor u bë aktuale pasi që një video incizim në të cilin shihet se si policia rreh një të ri të përkatësisë rome u bë virale në rrjetet sociale. Për policin që ishte i përfshirë është ngritur kallëzim penal. Në anën tjetër edhe policitë nuk janë imun ndaj brutalitetit të qytetarëve të papërgjegjshëm.
“Vitin e kaluar kemi trajtuar vetëm se tri raste të brutalitetit policor, por për fat të keq nuk mund të themi se ky trend i numrave të vegjël ka vazhduar edhe në vitin 2020. Vetëm në këto nëntë muaj të këtij viti kemi regjistruar 15 raste të brutalitetit policor. Qytetarët ankohen se policia i keqpërdor mjetet e detyrimit jashtë standardeve profesionale”, thonë për KOHA nga zyra e Avokatit të Popullit.
Tema e brutalitetit policor u bë aktuale pasi që në opinion u paraqit video incizim në të cilin shihet se si policia rrah dy pjesëtarë të komunitetit rom në Manastir. Kryeministri Zoran Zaev, ministra, politikanë të opozitës, organizata joqeveritare, thuaj se të gjithë një zëri dënuan këtë akt jo të hijshëm të policisë në Manastir. Nga Ministria e Punëve të Brendshme për rastin e fundit në Manastir kanë informuar se Departamenti për kontroll të brendshme, hetim kriminalistik dhe standarde profesionale ka marrë të gjitha masat e nevojshme sipas ligjit dhe rregullores për punën e pjesëtarëve të MPB-së dhe se sanksionimet ndaji pjesëtarit të policisë të përfshirë në këtë rast do të shqiptohen konform ligjit.
Juristi Qenan Aliu thotë se gjatë viteve të kaluara mbase edhe me rastin e fundit gjithsesi se mund të konstatohet se ende ka brutalitet policor në Maqedoninë e Veriut. “Përgjegjësia penale është individuale, për përgjegjësinë vendosin organet e gjyqësorit. Policia është servis i qytetarëve, përdorimi i forcës nga ana e tyre është e përcaktuar me ligj dhe akte nën ligjore në formë strikte se kur mund të ushtrohet forcë por jo edhe dhunë për shfryrje. Qytetarët duhet ta respektojnë dhe nderojnë rolin dhe detyrën e policisë duke pasur kujdes për dinjitetin e tyre , por gjithashtu policia duhet të mbajë llogari maksimale për dinjitetin, liritë dhe të drejtat e njeriut. Andaj duhet që komisioni përkatës i brendshëm duhet të ndërmerr të gjitha masat për suspendimin e të gjithë atyre nëpunësve policor të cilët brutalitetin e kanë hobi për shfryrje ndaj trupit dhe dinjitetit të cilit do qytetarë”, deklaroi për KOHA, Aliu.
Edhe avokati Asmir Alispahiç thotë se për fat të keq brutaliteti policor ende është prezent në Maqedoni. “Për fat të keq edhe me rastet e fundit u dëshmua se ka brutalitet policor. Për këtë arsye është i nevojshëm edukimi i pjesëtarëve të policisë me trajnimi të ndryshme, si dhe reforma në polici të bëhet sipas standardeve evropiane”, thotë Alispahiç.
Ndryshe, një nga rastet më të njohura të brutalitetit policor në Maqedoninë e Veriut është vrasja e Martin Neshkovskit gjatë kremtes së fitores së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e vitit 2011. Atë kohë ai ka qenë brutalisht i rrahur nga një pjesëtarë i Njësitit policor “Tigrat”, pas çka ka ndërruar jetë. Pas vdekjes së tij në vitin 2011 kishin filluar edhe protesta të njëpasnjëshme me kërkesë që të ndalet brutaliteti policor. (koha.mk)