Pozita e Beogradit lidhur me agresionin rus mbi Ukrainën mund të ndikojë në procesin e integrimit evropian të Serbisë, deklaroi sot Majkëll Miler, shef i Sektorit të Komisionit Evropian për Serbinë dhe Malin e Zi.
Ai para Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në debatin për projekt-rezolutën e PE-së me të cilën thirret Serbia ta harmonizojë politikën e saj me vendimet dhe pozitat e BE-së për politikën e jashtme, duke e përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tha se progresi i Serbisë në negociatat për qasje në BE varet nga qeverisja e së drejtës dhe dialogu me Prishtinën por edhe nga sanksionet ndaj Rusisë.
“Pati vlerësim shumë të rëndësishëm në kontekstin gjeopolitik dhe pozitën e Serbisë lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës, do të jetë element thelbësor që duhet të merret parasysh. Serbia është e vetëdijshme për pritshmëritë e BE-së pas harmonizimeve, duke i përfshirë edhe masat restriktive (kundër Rusisë)”, tha Miller.
Mesazh të qartë dërgoi edhe raportuesi i PE-së për Serbinë, Vlladimir Billçiq, duke thënë se mosvendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të ketë pasoja për Serbinë, më pas duke shfaqur shpresë se Beogradi do ta harmonizojë politikën e vet me vendimet e BE-së drejtuar kundër Moskës.
“Shtetet sovrani, marrin vendime sovrane, por vendimet sovrane kanë edhe implikime për partneritetet ndërkombëtare, aleancat dhe integrimin evropian. Shpresoj se vendimet në Serbi pas zgjedhjeve do t’i reflektojnë aspiratat evropiane të Serbisë”, tha Billçiq.
Në projekt-rezolutën e PE-së autor i së cilës është Billqiqi, shprehet keqardhje për shkak faktit se Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Europarlamenti ju bën thirrje autoriteteve të sapozgjedhura në Beograd të dëshmojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozitat e BE-së në Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, duke i përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë”, thuhet në dokumentin e publikuar në ueb faqen e PE-së.