Në letrën dërguar qeverisë italiane, eurokomisari i obliguar për Euron, Valldis Dombrovskis dhe Pjer Moskovisi, komisari për financa shprehin “brengosje serioze” për shkak të planit të tyre buxhetor të Italisë.
Komisioni Evropian vlerëson se buxheti nuk është në pajtim të plotë me rregullat fiskale të BE-së.
“Duke e pasur parasysh atë se borxhi italian është rreth 130 për qind të BPV-së, vlerësimi ynë fillestar është se planet e Italisë nuk do ta mundësojnë zvogëlimin e borxhit”, qëndron në letër.
Sipas Paktit të stabilitetit dhe rritjes së Unionit, vendet anëtare janë detyruar ta ruajnë apo zvogëlojnë shkallën e deficitit nën 3 për qind të BPV-së, ndërsa shkallën e borxhit nën 60 për qind.
Italia, si edhe vendet e tjera, nuk është harmonizuar me këto rregulla por e ka marrë për sipër t’i arrijë ato.
Brukseli vlerëson se buxheti i ri nuk do ta mundësojë këtë. Komisarët e përkujtojnë qeverinë italiane se buxheti i saj nuk mbështetet as nga trupi i pavarur italian për monitorim buxhetor.
Qeveria deri të hënën duhet t’u përgjigjet vërejtjeve të Komisionit Evropian, por tani për tani nuk ka sinjale nga Roma se është e gatshme për korrigjime të rëndësishme.
Në Samitin e djeshëm në Bruksel, kryeministri italian, Xhuzepe Konte porositi se është hapur diskutim, por se nuk ka për qëllim të heqë dorë.
“Siç kalon koha, gjithnjë e më i bindur jam se projekt-buxheti është i shkëlqyer”, deklaroi kryeministri italian.