Bruksel, 22 nëntor – Ekipet negociuese të Brukselit dhe Londrës arritën marrëveshje për propozim-deklaratën politike për marrëdhëniet e ardhshme mes BE-së dhe Britanisë së Madhe pas Brekzitit, kumtoi sot një përfaqësues zyrtar i Unionit.
Ai paralajmëroi se propozim-dokumentin e arritur sot do ta shqyrtojnë ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së në takimin e tyre në Bruksel.
Përfaqësuesi i BE-së theksoi se mes dy palëve ende ka dallime lidhur me Gjibraltarin, por shfaqi shpresë se megjithatë dokumenti do të finalizohet me kohë, në mënyrë që të shqyrtohet në Samitin e BE-së të dielën, i cili fillimisht do t’i kushtohet Propozim-marrëveshjes për Brekzitin të arritur të mërkurën e kaluar.
Marrëveshjen për Brekzitin tashmë e miratoi Qeveria britanike, ndërkaq tani ai duhet të mbështetet edhe nga Parlamenti në Londër dhe nga vendet anëtare të BE-së.