Vaji i nënave kosovare është mallkim për gjithë ata burokratë në Bruksel që me lehtësi e shpallin Serbinë europiane, para se ajo të ketë pastruar ndërgjegjen e saj në raport me viktimat e pagjetura të cilat kërkojnë të varrosen në token e Kosovës
Nga Emin AZEMI
Ata që e kanë lexuar librin “Fantazma e Ballkanit” kanë mundur të vërejnë se autori (Robert D. Kapllan, gazetar amerikan dhe autor i disa librave udhëtimi) ndoshta pa dashje, fut në kurth një opinion të gjerë publik ndërkombëtar, me përtacinë e tij për të gjurmuar më thellë marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve, pa asnjë bashkëbisedues shqiptarë, me një lehtësi të çuditshme përdor murgeshat dhe popat në manastiret serbe të Graçanisë, Deçanit e gjetiu si burime referenciale mbi të cilët pastaj i ndërton hipotezat për shqiptarët “si zaptues të tokave serbe në Serbinë e Vjetër”.
Jo rastësisht po e përmendim këtë autor mjaft të shquar amerikan dhe librin e tij kontrovers, për të problematizuar një çështje që ende mbetet e parrahur sa dhe si duhet nga gazetaria dhe historiografia shqiptare. Në fakt lufta e Serbisë kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovë në veçanti, nuk u zhvillua vetëm në beteja shfarosëse me përmasa gjenocidale. Kjo luftë kishte edhe një dimension tjetër, atë të propagandës antishqiptare të qarqeve elitare serbe dhe të krerëve të kishës serbe, ndërkohë që gjithë ky helm fashist që shpërndahet publikisht papengueshëm, nuk përbën kurrfarë lajme për zyrat ndërkombëtare në Prishtinë.
Të enjten serbët në Gazimestan, afër Prishtinës, festuan, Vidovdanin, festën e tyre tradicionale, një ceremoni lutjesh për Betejën e Kosovës, e cila ishte mbajtur para 629 vjetësh, të cilën e shoqëruan me këngë nacionaliste ku dominonte “Kosova është tokë serbe”. Me këtë rast një deklaratë të forte bëri Peshkopi Atanasije Jevtiq, i cili bëri thirrje për ta kthyer Kosovën me luftë në Serbi. Ai me këtë rast tha se në Qeverinë e Serbisë ka politikanë që frikësohen, por, që sipas tij, nëse nevojitet, ata do të japin prapë jetën që të mbrojnë Kosovën.
“Qeveritarët tanë janë bërë miq me Erdoganin në Serbi. Ata po na i sjellin prapë turqit, ndërkaq Erdogani është bërë personalitet në Serbi. Por, ne kemi personalitetet, tona sepse nesër nëse duhet luftuar për Kosovën, gjysma prej nesh prapë do të luftonim. Në emër të zotit do të vijë edhe kjo ditë”, u shpreh peshkopi Atanasije Jevtiq.
Po të guxonte ndokush nga Kosova të jepte një deklaratë të tillë skandaloze në tokën e Serbisë, e pakta që mund të ndodhte, do të ishte arrestimi i menjëhershëm i tij dhe pasimi i disa mbledhjeve special të Presidentit, Kuvendit dhe të disa institucioneve të Serbisë, por të shoqëruara edhe me një letër protestë deri në OKB dhe në kancelaritë e ndryshme të botës.
Se kush është Serbia dhe cilat janë qëndrimet e serbëve tash e në të kaluarën kundrejt shqiptarëve, kjo nuk kërkon ndonjë elaborim të posaçëm, por ajo që habit është paturpësia e diplomatëve të huaj në Prishtinë e Beograd, të cilët me mosreagimin e tyre sikur bëhen “recensentë” të heshtur të kësaj gjuhe fashizoide serbe kundër shqiptarëve.
Populli, intelektualët dhe elita e Kosovës nuk janë aq pa tru të mos jenë mirënjohës për rolin e Amerikës dhe disa vendeve të Europës në dëbimin e Serbisë okupuese nga Kosova. Por, përderisa para dy dekadave finalizohej beteja ndërkombëtare për dëbimin e Serbisë okupuese nga Kosova, tash po ndodhë një proces i çuditshëm i kthimit të saj, me një gjuhë edhe okupuese edhe luftënxitëse. Serbia ende nuk e ka hequr Kosovën nga Kushtetuta e saj, kurse në kufijtë e këtij shteti për çdo javë ndalohen e arrestohen qytetarë të Kosovës, të cilët ose kalojnë tranzit nëpër Serbi ose kanë destinacion ndonjë qytet të saj.
Deklaratat fashiste të kleronacionalizmit serb si dhe provokimet e çdo ditshme të Serbisë në llogari të shtetësisë së Kosovës, po ndodhin mu në kohën kur në Bruksel është pjekur mendimi se Serbia pas gjashtë muajve mund të fillojë përgatitjet për negociata për anëtarësim me BE-në. Diplomatët në Bruksel nuk kanë lexuar asnjë libër të ideologëve serbë që flasin me detaje për shfarosjen e shqiptarëve. Ata nuk e kanë lexuar as shtypin e ditëve të fundit teksa Voisllav Shesheli shprehet me konotacionet më të poshtra kundër shqiptarëve. Në Bruksel nuk ka asnjë këshilltarë që ndjek mediat në Beograd, për të vërejtur se sa pak ka ndryshuar Serbia nga koha e Millosheviqit në raport me Kosovën.
Diplomatët në Bruksel si duket paskan lexuar vetëm procesverbalet e Kongresit të Berlinit dhe mbledhje së Shën Stefanit, sepse frymëzim tjetër nuk mund të gjesh për të shpallur një shtet gjenocidal, siç mund të jetë Serbia, aq të përparuar në rrugën e eurointegrimeve europiane. Për çfarë euopianizmi të Serbisë flasin aparatçikët e Brukselit, kur me mijëra nëna shqiptare nga Kosova ende nuk i dinë gjurmët e fëmijëve të tyre të masakruar nga banditët e Arkanit e Milloshëviqit. Nëse aparatçikët e Brukselit shohin ndonjë asfalt të ri nëpër rrugët dhe sheshet e Serbisë, si shenjë e modernizmit dhe përparimit të saj, lirisht le të marrin kazmat dhe le të gërmojnë sepse përfundi do të gjejnë ndonjë varrezë massive me trupa të masakruar të shqiptarëve të Kosovës. Vaji i nënave kosovare është mallkim për gjithë ata burokratë në Bruksel që me lehtësi e shpallin Serbinë europiane, para se ajo të ketë pastruar ndërgjegjen e saj në raport me viktimat e pagjetura të cilat kërkojnë të varrosen në token e Kosovës.
“Fantazma e Ballkanit” nuk mund të jetë vetëm një titull libri. Aktualisht, qasja e njëanshme dhe joparimore e Brukselit kundrejt Ballkanit Perëndimor po inkurajon fantazmat e luftës së shekullit të kaluar që kishin ushqyer gjenocidi mbi popujt e pafajshëm kurse tani deklaratat dhe sjelljet fashiste dëshmojnë se reinkarnimi i fantazmave të luftës në demon mund të ndodhë edhe me tolerim të diplomacisë ndërkombëtare. Hendikepi për të pasur një terapi efikase kundër demonëve të Ballkanit, e bën më pak të besueshme një pjesë të burokracisë së Brukselit për sa i përket qasjes ndaj gjenezës së problemeve dhe lënien hapur të tyre në këtë pjesë të Europës Juglindore. (koha.mk)