Bruksel, 3 prill – Siç qëndrojnë tani punët, Britania e Madhe do ta lëshojë BE-në pa marrëveshje më 12 prill në mesnatë, kumtoi sot Komisioni Evropian.
“Përshtypja e përgjithshme për skenar “pa marrëveshje” nuk mund të zbutet. Përgatitjet vazhdojnë në vendet anëtare me mbështetjen nga ana e Komisionit, ndërsa është shumë e rëndësishme që të sigurohet që infrastruktura kombëtare doganore dhe logjistike të jenë të gatshme për një skenar të tillë”, theksohet në kumtesën e Eurokomisionit.
Komisioni thekson se BE-së i vjen keq për shkak të vendimit të Britanisë së Madhe që ta lëshojë bllokun, por se e respekton vendimin e tillë, duke shtuar se Bregziti asnjëherë nuk ishte zgjedhje e Unionit, si dhe se dalja britanike pa marrëveshje nuk është skenar të cilin e mbështet Brukseli.
Në ndërkohë, eurokomisari për Çështje Ekonomike dhe Financiare Pjer Moskovisi deklaroi se infrastruktura doganore e Unionit është e gatshme që menjëherë të vendosë kontroll doganor dhe pagesë të TVSH-së së mallit që vjen nga Britania e Madhe.
“Në sferën e doganave dhe të tatimit, Bregziti pa marrëveshje do të nënkuptonte vendosjen për momentin e kontrollit doganor të mallit që vjen nga Britania e Madhe, të formularëve të rinj doganorë për kompanitë të cilat tregtojnë me Mbretërinë e Bashkuar”, theksoi Moskovisi.
Ai informon se Eurokomisioni dhe vendet anëtare të BE-së janë në kontakt me kompanitë që kanë marrëdhënie afariste me Britaninë e Madhe, me qëllim që të përgatiten për respektimin e detyrimeve doganore, nëse vjen deri në Bregzit pa marrëveshje. (koha.mk)