Bruksel, 28 qershor – Në konferencën e dytë donatore ndërkombëtare për luftë kundër koronavirusit, të konvokuar nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, janë mbledhur 6,15 miliardë euro nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe shtetet tjera.
Komisioni Evropian, së bashku me Bankën investuese evropiane për luftë kundër Kovid-19, premtuan se do të japin 4,9 miliardë euro, Gjermania 383 milionë euro, SHBA-ja 545 milionë dollarë, Kanadaja 219 milionë dollarë dhe Katari 10 milionë dollarë.
Në samitin morën pjesë përfaqësues të 40 qeverive.
Paratë e mbledhura do të shfrytëzohen për testim të Kovid-19, trajtim, zhvillim dhe prodhim të vaksinës, si dhe për ndihmë të bashkësive më të varfëra.
Në Konferencën që u mbajt në kuadër të iniciativës së përbashkët të Komisionit Evropian dhe organizatës “Qytetari global” u mbajt edhe koncert për grumbullimin e mjeteve financiare.
Shumë yje morën pjesë në koncert, mes të cilëve edhe Majli Sajrus, Xhastin Biber, Shakira, Asher, ndërsa ngjarjen televizionet e kanë transmetuar në nivel global.
Kryetarja e KE-së, Fon der Lajen tha se është me rëndësi kyçe që secilit që i nevojitet vaksinë, të mund ta furnizojë.
“Po mundohem t’i bind vendet më të pasura që të rezervojnë vaksina jo vetëm për veten, por edhe për vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme. Ky është test i solidaritetit”, tha ajo.