Broçkulla “ekspertësh”

Lirim DULLOVI

Në kohën kur Maqedonia po negocion me Greqinë për ndryshimin e emrit, ndërsa me Bullgarinë po ratifikon një marrëveshje të vështirë, që gjithashtu ka të bëjë me identitetin e këtij populli të kontestuar nga të gjithë fqinjët, çuditërisht po në të njëjtën kohë, në mediat e vendit lajm kryesor është Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe dhe rreziku që vjen për shtetin nga lejimi i zgjerimit të përdorimit të saj në institucionet e vendit.

Kjo mënyrë paradoksale e të menduarit politik mbi rrezikun nga shqiptarët, të cilët për dallim nga grekët dhe bullgarët, nuk po kontestojnë asgjë, është duke u promovuar nga ekspertë të ashtuquajtur të drejtës kushtetuese, të llojit të profesoreshës Gordana Siljanovska dhe disa të tjerë si ajo, të cilët në argumentimin e kushtetueshmërisë së këtij propozim-ligji, si ekspertë të mëdhenj që janë, shërbehen bile edhe me memoaret e disa pjesëmarrësve në bisedimet në Ohër të vitit 2001.

Kur i dëgjon se si flasin për drejtësinë, e sidomos atë që buron nga kushtetuta, të krijohet përshtypjen se kushtetuta është një materie, që është hartuar për ta kuptuar vetëm qeniet jashtëtokësore, apo një program sekret i NASA-s për pushtimin e planetëve tjera të gjithësisë. Ose, sipas tyre, kushtetuta mund të jetë një plastelinë që merr formë varësisht se në dorën e kujt modelohet.
Të lexosh Kushtetutën me syzat e huazuara nëpër muzetë e harruara të mesjetës, patjetër që do të prodhojë errësirë në kokën e atyre që ushqehen me këtë mendësi mesjetare. Përpos një pjese racionale të publikut, përfshi edhe shqiptarët, të cilët ndodhen në situatë paradoksale, duke e pyetur veten mos vallë ata nuk e kuptojnë drejt Kushtetutën,sidomos amendamentin 5 , i cili në mënyrë të qartë përcakton që përskaj gjuhës maqedone, gjuhë tjetër zyrtare në Maqedoni është edhe gjuha që e flasin mbi 20 për qind e popullatës. Dhe në vend se këtu të përfundojë debati mbi këtë çështje dhe, si patriotë dhe ekspertë të mëdhenj që janë, ta mbrojnë veten dhe kombin që i takojnë nga çështjet e hapura me Bullgarinë , Greqinë edhe Serbinë, këta kujdestarë të çështjes shqiptare, gjithnjë duke u nisur nga ndjenja antishqiptare, e kalitur ndër vite, shërbehen me çka munden për të mohuar shtimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Fakt tjetër shqetësues janë edhe prirjet e disa mediave që këtyre personave u japin luksin të debatojnë në këtë temë, duke mos ftuar nga ana tjetër asnjë përfaqësues që mund të ketë mendim krejt të ndryshëm. Pyetja më e logjikshme që duhet shtruar këtyre mendermethënë ekspertëve do të ishte A jeni ju për përdorim më të gjerë të gjuhës shqipe në këtë shtet, apo nuk jeni? Ndonëse, shpeshherë qëndrimet e tyre mohuese kundër shqipes ata i prezantojnë edhe pa u pyetur, habit fakti se në të njëjtat vale ndodhen edhe disa kolegë tanë maqedonas, të cilët pa kurrfarë sensi professional e qytetar Siljanovskës mundohen t’ia japin epitetin e personit që ka licencën mbi interpretimin e drejtë të kushtetutës. Por në këtë vend të absurdeve që moti epitetin e ekspertit e mbajnë ata të cilët fillimisht janë antishqiptarë. Fundja, po të mos ishte antishqiptare, Siljanovska që moti do të kishte mbrojtur çështjen maqedonase aty ku mohohet dhe përbuzet më së tepërmi. Ka të ngjarë që antishqiptarizmi i kësaj kategorie ekspertësh po vazhdon të shërbejë si karburant i vjedhur kontrabandë për të djegur kauzat e tyre kombëtare që asnjëherë nuk guxuan ti shpalosin, sidomos atje ku më së tepërmi u mohohet origjina, gjuha, kisha etj.

Përfundimisht, gjithë ata që nuk ngurrojnë të promovojnë dhe pajtohen me qëndrimet si ato të Siljanovskës dhe të ngjashmëve, duhet ta dinë se këto broçkulla “ekspertësh”nuk mund t’i plasojnë përtej pazarit lokal të mendësisë së çoroditur politike maqedonase.