Një Maqedoni me shqiptarë të barabartë dhe me qytetarë të dinjitetshëm në rrafshin social e kulturor, do të duhej të jetë algoritmi i zhvillimeve të ardhshme, sepse kurrfarë Perëndimi as kurrfarë NATO nuk na nevojitet nëse si shoqëri dhe si institucione nuk e meritojmë paraprakisht statusin e të qenit njerëz të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm
Nga Emin AZEMI
Më e rëndësishme se shifrat, janë qëndrimet politike të shqiptarëve kundrejt çështjeve që ishin të përfshira në referendumin e së dielës. Asnjë subjekt serioz politik shqiptar dhe asnjë asociacion intelektualësh në Maqedoni, nuk doli paraprakisht me thirrje për ta bojkotuar referendumin. Shqiptarët mund të kenë pasur një mijë e një arsye për ta bojkotuar referendumin, mirëpo ata nuk u bënë palë me taborin e atyre që ëndërrojnë për një Maqedoni tjetër, ku vlerat europiane do të ishin një nocion i huaj dhe i largët.
Askush në Maqedoni nuk disponon me shifra të sakta se sa shqiptarë votuan pro dhe sa kundër referendumit. Nëse ka të dhëna se sa janë prej tyre që nuk kanë dalur të votojnë, kjo nuk mund të përkthehet me automatizëm si votë kundër. Është e pandershme të etiketohet një popullatë e tërë si gjoja fajtore për fiaskon e referendumit, dhe më së paku të thuhen budallallëqe se ata ishin me Lindjen më shumë se me Perëndimin, prandaj bilanci i votave shqiptare doli i tillë.
Çka është ky sindrom idiotik që rri pezull në qafat e holla të mendjeshkurtësisë sonë për të projektuar armikun brenda nesh si një mercenar që ushqehet tinëz me bukën e Lindjes, thua se Lindja është një gogol prej të cilit duhet të ketë frikë edhe djalli vet.
Shqiptarët në Maqedoni dhe në gjithë rajonin, janë populli më pro europian dhe pro amerikan dhe askush ata nuk mundet t’i spostojë nga ky përcaktim, pavarësisht disponimeve momentale që shprehin në zgjedhje a në ndonjë referendum. Nëse paska mbet një referendum të testojë senzorët civilizues të shqiptarëve, atëherë mjerë ne që do të varemi nga epilogu i atij referendumi.
Çka t’iu themi britanikëve që votuan Brexitin dhe u larguan nga BE? T’i quajmë edhe ata Lindorë?!
Nëse është e vërtetë se regjistri zgjedhor në Maqedoni është i fryrë të paktën për 400 mijë votues, atëherë del që fiaskoja e referendumit të mos lidhet gjithaq me “përcaktimet Lindore” të shqiptarëve, por me bojkotin maqedonas dhe me vetë defektin që patën institucionet në përgatitjen e një infrastrukture stabile që do të siguronte rezultate reale e jo virtuale.
Kur jemi te shqiptarët, do të duhej ta evidentojmë edhe një fakt – pikërisht disponimi i tyre properëndimor është përkthyer gabimisht nga një pjesë dërmuese e bashkëqytetarëve maqedonas, të cilët me automatizëm çdo sensibilitet properëndimor të shqiptarëve e kanë trajtuar si diversion mbi Maqedoninë. Revanshizmi ndaj NATO-s nëpër sheshet e Shkupit, që përcillej me djegie të flamujve dhe me kokteje molotovi, u bë pikërisht nga bojkotuesit e tanishëm të referendumit, të cilët edhe atëherë, edhe tani, edhe në të ardhmen, do të jenë kundër lidhjeve tradicionale të shqiptarëve me vlerat Perëndimore.
Një Maqedoni me shqiptarë të barabartë dhe me qytetarë të dinjitetshëm në rrafshin social e kulturor, do të duhej të jetë algoritmi i zhvillimeve të ardhshme, sepse kurrfarë Perëndimi as kurrfarë NATO nuk na nevojitet nëse si shoqëri dhe si institucione nuk e meritojmë paraprakisht statusin e të qenit njerëz të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm. Një prej misioneve të politikës së ndershme është pikërisht krijimi i parakushteve për një status të tillë, pa të cilin kot pretendojmë se jemi Perëndimor. (koha.mk)