Presidenti i Komitetit Olimpik Britanik ka deklaruar sot se ka një plan evakuimi për delegacionin e këtij vendi në rast se plas një luftë mes dy Koreve, në periudhën e zhvillimit të Lojërave Olimpike dimërore “Pyeongchang 2018”. Më shumë se 60 sportistë britanikë do të marrin pjesë në këtë eveniment që zhvillohet në shkurt në Korenë e Jugut, në një zonë që është vetëm 65km larg kufirit me Korenë e Veriut. Por tensionet mes dy Koreve kanë qenë të larta kohët e fundit dhe frika se mos ndodhë diçka e rëndë gjatë Olimpiadës është e madhe.
“Ne nuk do të braktisim Olimpiadën, por natyrisht që kemi një plan emergjence. Niveli i gatishmërisë është i lartë dhe ne po marrim masat për evakuim në rast të ndonjë situate ekstreme, që është lufta. Unë nuk besoj se ai plan do të zbatohet ndonjëherë, por ne jemi gati, pasi përparësia kryesore për ne është jeta e sportistëve dhe delegacionit”, tha Bill Sceenej, shefi i delegacionit britanik në Olimpiadën dimërore. Si komiteti organizator ashtu dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kanë thënë se do të jetë një Olimpiadë e qetë.