Ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt ka paralajmëruar të hënën rreth rreziqeve të një konflikti midis SHBA-së dhe Iranit, si pasojë e shthurjes së marrëveshjes bërthamore së arritur midis shtetit iranian dhe fuqive të mëdha.
“Jemi thellësisht të shqetësuar rreth rrezikut të një konflikti që mund të ndodhte rastësisht, përmes përshkallëzimit të paqëllimshëm”, u ka thënë Hunt gazetarëve në Bruksel, duke shtuar se me gjëja më e rëndësishme tani është që Irani të mos i kthehet shtegut të nuklearizimit, transmeton Koha Ditore.
Të dielën, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit ka thënë se prania ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit dikur ka qenë rrezik serioz, por tani paraqet vetëm një cak, kanë raportuar mediet e këtij shteti.
Forcat e dërguara nga Ushtria amerikane në Lindjen e Mesme përfshijnë një aeroplanmbajtëse dhe bombardues B-52, një veprim ky që sipas zyrtarëve amerikan synon të sprapsë “treguesit e qartë” të kërcënimit nga Irani ndaj forcave amerikane ën rajon.