[adning id="476476"]

Britania nis studimin e një testi revolucionar për kancerin

14

Peter Sasieni, profesor që ka specializuar për parandalimin e kancerit në Kolegjin Mbretëror të Londrës dhe një nga hulumtuesit kryesorë të studimit, ka thënë se analiza e Gallerit “mund t’i ndryshojë rregullat e lojës për sa i përket zbulimit të hershëm të kancerit”

Analiza e gjakut Galleri mund të përcaktojë nëse një pacient është prekur nga kanceri edhe para se simptomat e sëmundjes të shfaqen. Ekspertët shëndetësorë tani shpresojnë se kjo metodë “do t’i ndryshojë rregullat e lojës” për sa i përket zbulimit të hershëm të kancerit, me anë të përfshirjes së mijëra njerëzve në një studim që pritet të ndërmerret lidhur me testin. Agjencia gjermane e lajmeve Deutsche Welle ka shkruar se Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) i Mbretërisë së Bashkuar do ta fillojë qysh nga e hëna studimin e një analize të re për kancer, e cila, sipas ekspertëve, mund t’i vërejë mbi 50 lloje të kancereve mes pacientëve, para se të shfaqen simptomat.

Çfarë dihet mbi studimin? Analiza e Gallerit ekzaminon ADN-në në gjak për të zbuluar nëse një pjesë e tij buron nga qelizat kancerogjene. Njerëzve që do të marrin pjesë në këtë studim, DW-ja ka shkruar se do t’u merren mostrat e gjakut në klinika të testimit dhe në njësitë e tjera shëndetësore në vend. NHS-ja synon që në studim të marrin pjesë 140 mijë vullnetarë nga tetë zona të Anglisë. “Kjo analizë e shpejtë dhe e thjeshtë mund të shënojë fillimin e një revolucioni në zbulimin dhe trajtimin e kancerit këtu dhe në tërë botën”, ka thënë në një komunikatë për DW-në shefja ekzekutive e NHS-së, Amanda Pritchard.

Analiza e re është krijuar nga kompania bioteknologjike amerikane “Grail Inc”. Kjo firmë është duke bashkëpunuar me NHS-në për qëllime të këtij studimi qysh nga nëntori i kaluar. Duke e diagnostikuar kancerin në një fazë të hershme, pacientët mund të punojnë me siguruesit e kujdesit shëndetësorë për ta përcaktuar trajtimin para se sëmundja të përshkallëzohet. Sipas NHS-së, një pacient që është diagnostikuar me kancer qysh në fazën më të hershme zakonisht ka mes pesë deri në 10 herë mundësi për të mbijetuar, krahasuar me ata që janë diagnostikuar në “fazën e katërt” të sëmundjes. Kjo, pasi që në këtë fazë kanceri veçse është shpërndarë edhe në pjesë të tjera të trupit, duke e pamundësuar trajtimin.

“Diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë dhe kjo analizë e re revolucionare mund t’i zbulojë kanceret para se të shfaqen simptomat, duke ua dhënë njerëzve mundësinë për ta mposhtur sëmundjen”, ka thënë sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid, ka raportuar Deutsche Welle.

Peter Sasieni, profesor që ka specializuar për parandalimin e kancerit në Kolegjin Mbretëror të Londrës dhe një nga hulumtuesit kryesorë të studimit, ka thënë se analiza e Gallerit “mund t’i ndryshojë rregullat e lojës për sa i përket zbulimit të hershëm të kancerit”. Sipas organizatës bamirëse me seli në Londër “Cancer Research UK”, më shumë se 166 njerëz vdesin nga kanceri për çdo vit. Kanceri në mushkëri, kanceri në zorrë, i gjirit, i prostatës: të gjithë së bashku kanë përbërë pothuajse gjysmën (45 përqindëshin) e vdekjeve në gjithë Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2018. Përveç analizave të gjakut, studiuesit kanë eksperimentuar edhe me mënyrat e tjera për t’i zbuluar fazat e hershme të kancerit. Për shembull, shkencëtarët kanë bërë studime gjatë viteve të fundit në një aparat të zbulimit të kancerit. Përparimet e inteligjencës artificiale gjithashtu mund t’u ndihmojnë mjekëve dhe punëtorëve shëndetësorë që ta zbulojnë kancerin te pacientët më shpejt dhe më saktë.