Britani, alarm nga kriza e shëndetit mendor të studentëve: Në kampuset britanike, vihet re një shtim i ndjeshëm i ankthit, stresit dhe depresionit. Ka një rritje të beftë të numrit të atyre që lënë studimet përgjysmë dhe një shifër alarmante të vetëvrasjeve.
Në 12 muaj që prej korrikut 2017, niveli I vetëvrasjeve të studentëve në Angli dhe Wales ishte 4.7 vdekje per 100,000 studentë, që do të thotë gati një vdekje cdo katër ditë. Kriza e shëndetin mendor të studentëve pushtoi titujt e parë të gazetave në vitin 2017 pas një numri të lartë të vetëvrasjeve në Universitetin Bristol. Në 18 muaj, duke filluar nga tetorit 2016, vranë veten 12 studentë të tij, kujton the Guardian. Ndërsa universiteti u përpoq ta zgjidhte krizën, u përball në të njëjtën kohë me një rritje të kërkesës për ndihmë. Nëntorin e 2018-tës, një grup studentësh dolën në rrugët e Bristolit me pankarta në duar duke kërkuar qasje më të mirë në mbështetjen psikologjike. Ata i thanë gazetarëve se përkundër premtimeve për më shumë investime në mirëqenien e studentëve, shërbimet ende çalonin shumë.
Prillin e vitit 2018, 20-vjeçarja Natasha Abrahart, studente e lëndës së fizikës në këtë universitet u vetëvra në ditën që duhet të jepte një provim me gojë përpara 40 kolegëve. Prindërit e saj thanë se do të nisnin procedura ligjore kundër universitetit për faktin se nuk I ofroi vajzës një alternativë ndaj provimit me gojë, të cilin ajo e konsideronte të tmerrshëm. Studentët në të gjithë vendin mendojnë se universitetet e tyre po i lënë në baltë. Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor në Tetor 2018, studentët e University College London ndërprenë mësimin me një demonstrim që lidhej me kohën e gjatë të pritjes për këshillim. Marsin e këtij viti, studentët e Goldsmiths pushtuan bashkinë e Deptfordit, me kërkesën për qasje më të mirë në këshillim.
Pretendimet e tyre shpeshherë bien në vesh të shurdhër, dhe kjo e bën më të vështirë situatën e të rinjve të dëshpëruar për vëmendje. “Ne thjesht nuk mund të përballojmë afatet e eseve, dhe testet na stresojnë“, ishte titulli i një artikulli të Daily Mail nëntorin e vitit 2017. Shtatorin e një viti më vonë, Times i përshkroi studentët e sotëm si “Gjenerata Snowflake” ( studentë që kërkojnë shtyrje afati për shkak të stresit të provimeve). Autori I librit “The Happiness Industry”, William Davies, thotë se një numër gjithmonë e me i madh studentësh janë të tmerruar “nga dështimi“, dhe e perceptojnë të gjithë procesin e mësimit si një “makth“ të tmerrshëm, i cili nuk i lë vend kreativitetit apo gabimeve.