Ankara, 15 dhjetor – Kryetari i Komunës së kryeqytetit turk, Ankara, ka akuzuar Britaninë e Madhe se ka pasur dorë në sulmet me bomba që tronditën qytetin e Stambollit ditë më parë duke lënë të vrarë 46 persona dhe duke lënduar 166 të tjerë. Melih Gökçek, përmes disa publikimeve në rrjetin social Twitter, ka ngritur dyshimet e tij mbi rrjetin televiziv britanik BBC, duke shkruar se ‘BBC-ja mori me qira një apartament për ta monitoruar paraprakisht shpërthimin dhe e filloi transmetimin vetëm 3-4 minuta’ pasi sulmet kishin ndodhur. “Për ne, nuk është e paarsyeshme që të besojmë se anglezët (BBC-ja) mund të dinin për shpërthimet para se të ndodhnin. BBC-ja dhe ambasadori britanik duhet të japin shpjegime për këtë”, shkroi Gökçek. Ai shtoi se nëse anglezët nuk arrijnë të japin shpjegime të arsyeshme për këto dyshime, turqit do të besojnë se Britania kishte të bënte me sulmet pranë stadiumit të futbollit Vodafone Arena në Stamboll. Ibrahim Melih Gökçek ka fituar katër palë zgjedhje lokale në Turqi dhe është kryetar i komunës së Ankarasë që prej vitit 2004. Ai është anëtar i partisë së kryeministrit Reccep Taip Erdogan.