Është një nga simbolet e fotografive të miliona turistëve, një figurë gjithnjë e lidhur me një vend si Britania e Madhe, ama që shumë shpejt nuk do të ekzistojë më. Kabinat e vjetra telefonike me ngjyrë të kuqe të Anglisë do të shndërrohen thjesht në një kujtim, pasi do të ndërrohen me vende publike më pak të dukshme por shumë më teknologjike, që ecin me hapin e kohës. Wireless-i tashmë është një domosdoshmëri dhe kjo gjë e ka shtyrë Anglinë në këtë ndryshim historik. Edhe një tjetër simbol i këtij vendi – taksia e zezë londineze – do të pësojë një modifikim; do të prodhohen 36.000 taksi hibride në vit. Arsyeja? Më shumë qetësi në rrugët e Londrës dhe burime wi-fi për pasagjerët.