Ministrja britanike e Punëve të Jashtme Liz Tras sot deklaroi se në javët në vijim Qeveria britanike planifikon të prezantojë një projekt-ligj për ndryshime dhe plotësime të Protokollit për Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e marrëveshjes për Bregzit me BE-në.
“Unë njoftoj se në javët e ardhshme ne synojmë të paraqesim një projekt-ligj për të ndryshuar protokollin,” tha ajo në Parlamentin britanik.
Tras theksoi se qeveria britanike preferon të arrijë një zgjidhje miqësore me BE-në, duke shtuar se do të vazhdojë bisedimet me negociatorin evropian Marosh Shefçoviq, të cilin e ftoi të vizitojë Londrën sa më shpejt të jetë e mundur.
Ajo tha se zgjidhja legjislative nuk do të thotë refuzim i Protokollit të Irlandës së Veriut dhe se ishte në përputhje me detyrimet e Britanisë së Madhe sipas ligjit ndërkombëtar.
Ligji, tha ajo, do të sigurojë një regjim sipas të cilit mallrat e destinuara për në Irlandën e Veriut që mbeten atje do të lirohen nga ngarkesat administrative të panevojshme.
“Projektligji do të heqë barrierat rregullatore për mallrat e prodhuara sipas standardeve britanike të shitura në Irlandën e Veriut. Kompanitë do të jenë në gjendje të zgjedhin midis përmbushjes së standardeve britanike ose të BE-së sipas regjimit të ri rregullator të dyfishtë”, tha ajo.
“Do të vazhdojë të ketë një garanci se nuk ka kufi fizik në ishullin irlandez,” theksoi ajo.
Bashkimi Evropian ka thënë se do të “përgjigjet me të gjitha mjetet e disponueshme” nëse Britania e Madhe vendos në mënyrë të njëanshme të ndryshojë protokollin e Irlandës së Veriut, thuhet në kumtesën e zëvendëskryetarit të Komisionit, Shefçoviq.
Protokolli i Irlandës së Veriut është një “protokoll ndërkombëtar i nënshkruar nga BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Veprimet e njëanshme në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtare nuk janë të pranueshme”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm irlandez Sajmon Kovenej ka shprehur keqardhje të thellë për vendimin e Londrës.
“Më vjen shumë keq për vendimin e qeverisë britanike. Veprime të tilla të njëanshme sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare detyruese minojnë besimin dhe vetëm do ta bëjnë më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje për frikën reale të banorëve dhe provincës rreth zbatimit të protokollit”, tha ai.