Londër, 6 korrik – Një pjesë e anëtarëve të Partisë Konservatore të Britanisë kanë marrë më shumë se nga një fletë për zgjedhjen e liderit të ri të partisë, i cili, gjithashtu, do të bëhet kryeministër i ri, informon Bi-Bi-Si.
Fletët e votimit ishin dërguar në adresat e rreth 160.000 anëtarëve të Partisë Konservatore në vend, por hetimi zbuloi se disa anëtarë kanë marrë dy fleta votimi, deklaroi një burim anonim për Bi-Bi-Si nga partia, i cili vlerëson se bëhet fjalë për rreth 1.000 persona.
Kjo ka ndodhur, sepse disa anëtarë të partisë jetojnë dhe punojnë në njësi të ndryshme zgjedhore dhe ka mundësi që t’i kenë lënë konservatorëve nga dy vende.
Në raste tjera, anëtarë të partisë e kanë ndryshuar mbiemrin e tyre pasi kanë lidhë kurorë.
Konservatorët zgjedhin liderin e ri mes ish ministrit të Punëve të Jashtme, Boris Xhonson dhe ministrit të tanishëm të Punëve të Jashtme Xheremi Hant.
Votimi përfundon më 22 korrik, ndërsa fituesi shpallet ditën e ardhshme.
Sipas anketës së publikuar sot nga ana e Tajms, Xhonson ka mbështetjen prej 74 për qind të votuesve, përderisa Hant – 26 për qind.