Britani, 13 të vdekur në shtëpi kujdesi, dyshohet për COVID-19

31

Trembëdhjetë banorë të moshuar të një shtëpie të kujdesit në Skoci kanë vdekur brenda një jave gjatë shpërthimit të koronavirusit të ri, raportojnë mediat lokale.

Shtëpia e Kujdesit Burlington Court në zonën Queenslie të Glasgow-it tha se dy nga anëtarët e stafit të tyre kanë rezultuar pozitivë me virusin dhe aktualisht janë duke u trajtuar në spital.

“Me trishtim të thellë, ne mund të konfirmojmë se 13 banorë kanë vdekur gjatë shtatë ditëve të kaluara”, citohet të ketë thënë Kujdesi Shëndetësor Four Season, i cili drejton shtëpinë e kujdesit, raportoi “The Scottish Sun”.

Në shtëpinë prej 90 shtretërve gjenden pensionistë të moshuar dhe njerëz me epilepsi, çmenduri dhe sëmundje të Parkinsonit.

Zëdhënësja e shtëpisë së kujdesit tha se personeli po “monitoron nga afër” shëndetin e banorëve dhe punëtorëve të tjerë.

Të gjithë ata që vdiqën kishin probleme shëndetësore dhe familjet e tyre ishin të vetëdijshme për “ndikimet e mundshme të COVID-19”, sipas “The Daily Record”.

Numri i vdekjeve në Britani për shkak të virusit fatal ka arritur në 4.313, me një numër rekord prej 708 vdekjeve të regjistruara të shtunën.

Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, COVID-19 është përhapur në mbarë globin dhe bazuar në të dhënat nga Universiteti “Johns Hopkins” me bazë në SHBA, mbi 59 mijë njerëz kanë vdekur, ndërsa mbi 228 mijë të tjerë janë shëruar.

Comments are closed.