Shkup, 7 korrik – Akuzat se Brima nuk ka kryer aspak anketë nuk janë të sakta. Ne sqarojmë edhe një herë sqarojmë se Brima nuk e publikoi anketën, ndërsa të njëjtën e ka zbatuar në periudhë të caktuar.
Kjo qëndron në reagimin e sotëm të Brimas, pasi disa prej mediave publikuan se Brima Gallup nuk ka kryer asnjë anketë në Maqedoni për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të zhvillohen më 15 korrik.
Në anketë, LSDM ka epërsi nga VMRO-DPMNE-ja. Në pyetjen “Nëse mbahen zgjedhjet parlamentare sot, për cilën parti politike apo koalicion do të votonit?”, 18.7 për qind e qytetarëve u përgjigjën se do të votojnë për LSDM-në, VMRO-DPMNE do të merrte mbështetje prej 15.1 për qind, për BDI-në do të votonin 8.2 për qind e të anketuarve, ndërsa Aleanca për Shqiptarët do të fitonte 4.9 për qind të votave. Gjashtëmbëdhjetë për qind e të anketuarve thanë se nuk do të votonin.
“Ju informojmë se Brima katër herë në vit kryen rregullisht Omnibus hulumtime për disa vjet. Ky hulumtim përfshin gjithashtu seksionin mbi çështjet e standardizuara socio-politike brenda Barometrit Politik Brima. Ne i ofrojmë këto të dhëna në pronësi të Brimas për klientët e mundshëm që janë të interesuar për to”, thuhet në reagim.
Hulumtimi në valën e qershorit u krye nga 5 deri më 14 qershori 2020 me një anketë telefonike të një ekzemplari reprezentativ prej 1174 të anketuarve mbi moshën 18 vjeç.
“Ofertën e pranoi një prej klientëve me të drejtën ekskluzive për përdorim dhe publikim”, shtohet në reagimin e Brimas.
Në pyetjen në anketën e Brima Gallup, në cilin politikan kanë më shumë besim, 9.4 për qind e të anketuarve e kanë theksuar kryetarin e LSDM-së Zoran Zaev, 4.2 për qind e mbështetën liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, më pas vijojnë Venko Filipçe dhe Stevo Pendarovski. Zijadin Sela ka mbështetje 2.9 për qind, ndërsa Ali Ahmeti, sipas anketës, gëzon besim prej 2.8 për qind.
Me anketë sot doli edhe Instituti për Kërkime Politike nga Shkupi (IKPSH), i cili kreu një studim të shkurtër telefonik në periudhën midis 2 dhe 5, prej 1087 të anketuarve të rritur në nivel të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në anketën e IKPSH, VMRO-DPMNE ka një epërsi të vogël para LSDM-së. Në pyetjen “Për cilën parti do të votonit në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut?”, 21.9 vendosën për VMRO-DPMNE, Koalicioni LSDM dhe Besa morën mbështetje prej 19.8 për qind, BDI ka mbështetje prej 5.9 për qind, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 4.2 për qind, E Majta, 1.3 për qind, PDSH 0.9 për qind. Anketa tregon se 12.1 për qind e qytetarëve nuk do të votojnë për asnjë parti.
Të anketuarit në sondazhin e IKPSH kanë besimin më të madh te Hristijan Mickoski – 19.2 për qind, pas tij është Zoran Zaev me 17.6 për qind, Ali Ahmetit i besojnë 6.5 për qind e të anketuarve, Zijadin Selës 3.9 për qind, Dimitar Apasievit 1.1 për qind, Afrim Gashit një për qind, Bilal Kasamit 0.9 për qind, Menduh Thaçit 0.8 për qind. Asnjë politikani nuk i besojnë 26.6 për qind e qytetarëve.