Sllovenia e mbështet dhe do ta mbështesë Maqedoninë në proceset eurointegruese. Për shtete të vogla si Maqedonia dhe Sllovenia është me rëndësi që të jemi unik dhe së bashku, t’i realizojmë qëllimet tona para bashkësisë ndërkombëtare, deklaroi sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Sllovenisë, Milan Brglez, pas takimit me kolegun e tij të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë deklaroi se në takim e ka informuar Brglezin për punën e Kuvendit, për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe për dinamikën e Kuvendit në pajtim me planin 3-6-9 të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
“Bashkëpunimi dypalësh është i mirë, por duhet të thellohet dhe të zgjerohet sidomos në pjesën e diplomacisë parlamentare”, tha Xhaferi. Xhaferi dhe Brglez kanë folur edhe për kontributin e Maqedonisë në përballjen me krizën migruese.
Kryetari i Kuvendit slloven, në mesditë do të ketë fjalim në Kuvendin e RM-së, e pastaj do të realizojë takime me kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për politikë të jashtme dhe çështje evropiane, e pastaj edhe me kryeministrin Zoran Zaev dhe me presidentin Gjorge Ivanov. Brglez në Shkup do të marrë pjesë edhe në forumin e biznesit.