Qytetarët e kësaj lagje që ndodhet sipër Arabatit Baba Teqe, pohojnë se përveç problemit me ujin e pijshëm, nuk kanë as kanalizim atmosferik dhe fekal dhe gjithnjë kundërmon erë e rëndë gjithandej
Urim HASIPI
Tetovë, 6 korrik – Vazhdon edhe më tej problemi i lagjes 146 me ujin e pijshëm. Kjo lagje e qytetit të Tetovës një kohë të gjatë përballet me mungesë të ujit të pijshëm. Banorët, megjithëse kanë sistem të tyre të ujësjellësit, ata nuk janë pjesë e ujësjellësit të qytetit të Tetovës. Mungesa e ujit tashmë është shndërruar në një problem permanent për këta banorë, të cilët disa herë kanë kërkuar nga autoritetet e Komunës së Tetovës që të gjendet zgjidhje.
Nga ana tjetër, ndërmarrja që menaxhon me ujin e pijshëm në Tetovë tashmë një kohë të gjatë është duke kërkuar zgjidhje për këtë problem. Sipas drejtuesve të kësaj ndërmarrje, që këta banorë të kyçen në rrjetin e ujësjellësit, duhet që të kryhen punime në rezervuarin që ndodhet sipër kësaj lagje, ose në stacionin e filtrimit në fshatin Lisec. “Jemi duke analizuar se cili variant është më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm ngase bëhet fjalë për një terren të vështirë ku duhet të kryhen punët. Si ndërmarrje kemi dy opsione. Opsioni i parë është që rrjeti i ujësjellësit i kësaj lagje të lidhet me basenin që ndodhet sipër kësaj lagje. Opsioni i dytë është që të lidhet me stacionin për filtrim në fshatin Lisec. Të dy variantet kushtojnë shumë dhe me siguri se mjetet do të duhet të sigurohen nga pushteti qendror, sepse është një territor shumë i gjatë ku duhet të zhvillohen punimet”, deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, Xhelal Ceka.
Situata në këtë lagje me mungesën e ujit të pijshëm pritet të përkeqësohet edhe më tej gjatë këtyre muajve kur temperaturat do të jenë më larta. Banorët, që nuk janë të paktë në numër, shprehen se kanë humbur shpresën që problem i tyre do të zgjidhet shumë shpejt. Ata shpeshherë kanë marrë premtime nga autoritetet e komunës se zgjidhje do të ketë, por gjithnjë punët janë zhagitur, kurse banorët kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Nga NPK pohojnë se janë të interesuar që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe kjo lagje të jetë pjesë e sistemit kryesor të ujësjellësit të Tetovës, por pa precizuar se kur do të mund të ketë aktivitete konkrete në këtë drejtim. Një periudhë të gjatë ata janë duke mbushur ujë në çezmat publike në Çarshi të Epërme. Banorët ankohen se pikërisht në këtë periudhë është më se e nevojshme që të kenë ujë të pastër për të mbajtur higjienën dhe pastërtinë.
Problemi i tyre zgjatë një kohë të gjatë edhe pse Komuna e Tetovës kohë më parë ka paralajmëruar se do të gjejë zgjidhje, respektivisht ujësjellësi i kësaj lagje të lidhet me rrjetin kryesor të qytetit. Punimet ishin paralajmëruar se do të fillojnë se shpejti, por ende nuk ka informacion zyrtar. Informacioni i fundit që ishte dhënë nga Komuna e Tetovës ishte se janë në pritje të mbylljes së tenderit për përzgjedhjen e firmës, e cila do të kryejë punët për lidhje në sistemin kryesor të ujësjellësit të Tetovës. Qytetarët e kësaj lagje që ndodhet sipër Arabatit Baba Teqe, pohojnë se përveç problemit me ujin e pijshëm, nuk kanë as kanalizim atmosferik dhe fekal dhe gjithnjë kundërmon erë e rëndë gjithandej. (koha.mk)