Brenda një jave dy vjedhje në institucionet e shtetit, Musliu thotë se po dëmtohet e ardhmja evropiane e Kosovës

21

Gjatë kësaj jave në institucionet e Kosovës kanë ndodhur dy vjedhje. Në Thesarin e Shtetit u vodhën mbi dy milionë euro, nga vetë zyrtarët e këtij institucioni, e një ditë më pas në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë u vodhë edhe një kasafortë, pesha e së cilës ishte rreth 300 kilogram.

Për vjedhjen e ndodhur në Thesarin e Shtetit, policia ka arrestuar një person ndërkaq është në kërkim edhe të dy të dyshuarve tjerë, kurse për vjedhjen në AUV është suspenduar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit”, gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

Lidhur me vjedhjet që kanë ndodhur në institucionet e shtetit, për Telegrafin është deklaruar Betim Musliu, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Musliu pohoi se hulumtimet që ata kanë realizuar dëshmojnë për një sistem të brishtë të drejtësisë.

“IKD tashmë një dekadë monitoron dhe hulumton sistematikisht sistemin e sigurisë dhe drejtësisë, dhe gjetjet e vazhdueshme që i kemi ngritur në publik përmes hulumtimeve e analizave, dëshmojnë për një sistem të brishtë të drejtësisë, të kapur nga politika dhe grupet e interesit”, tha ai.

Si rezultat i këtyre skandaleve, Musliu thotë se partnerët e Kosovës kanë hequr dorë nga procese të rëndësishme brenda sistemit të drejtësisë.

“Skandalet e njëpasnjëshme të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet publike, dhe amnistia e tyre e vazhdueshme nga institucionet e drejtësisë, ka sjellur shtetin e Kosovës në situatën kur tashmë edhe miqtë e partnerët që kanë ndihmuar krijimin e shtetit të Kosovës të heqin dorë nga procese të rëndësishme brenda sistemit të drejtësisë”, potencoi ai.

Musliu shtoi më tej se këto skandale po dëmtojnë drejtpërdrejtë të ardhmen evropiane të Kosovës.

“Fatkeqësia është se në Kosovë, përballja me skandale të vazhdueshme, tashmë ka arritur që t’ia humbas vlerën skandaleve dhe tashmë pothuajse është shndërruar në normë të sjelljes në shoqërinë tonë që përbën rrezikun më të madh të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, ku çdo keqpërdorim, çdo hajni, çdo veprimtari korruptive më nuk përbën lajm dhe pranohet si diçka e zakonshme”.

“Këto skandale përveç që e dëmtojnë çdo qelizë të funksionimit të shtetit të Kosovës, dëmtojnë drejtpërdrejtë të ardhmen evropiane të Kosovës, ku qytetarët ende nuk mund të përfitojnë as lëvizje të lirë në zonën shengen, ku perspektiva e rrugës evropiane zbehet sepse dëmtohet rëndë imazhi i vendit tonë”, përfundoi ai.

Për vjedhjet që kanë ndodhur së fundi në Thesarin e Shtetit dhe AUV ka pasur reagime të shumta nga udhëheqësit politikë, ndërsa opozita ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Financave, Hykmete Bajrami.