Ky është kampi nazist ku Hitleri urdhëroi që të dërgoheshin armiqtë e pandreqshëm politikë të Rajhut. Të burgosurit në kampin e përqendrimit “Mauthausen” në Austri ishin të detyruar të bënin 186 hapa të ngarkuar me blloqe 50 kilogramëshe. Gjatë kësaj kohe ata nuk duhej të pushonin dhe duhej të bënin të njëjtën gjë për 12 orë.
Në këtë kamp ka qenë e ndërtuar një gurore ku të burgosurit duhej të punonin deri në vdekje. Në një shkëmb ishin gdhendur disa shkallë që ndryshe quheshin “Shkallët e vdekjes”, ku ata që lodheshin apo rrëzoheshin përballeshin me shumë vuajtje e plagë. Christian Bernadac, një luftëtar francez, u burgos në “Mauthausen” dhe më vonë shkroi një libër me titull “186 hapa”. Ai tregon në këtë libër sesi ishin të formuara shkallët. Ato nuk ishin në madhësi të njëtrajtshme, ishin të mbuluara nga balta e madje shpeshherë të vrisnin këmbët. Ishin të vështira jo vetëm për ngjitje, por edhe për zbritje. Të burgosurit mbanin uniformat e burgut dhe vishnin sandale prej druri, që nuk ishin aspak të sigurta dhe mbi të gjitha ata ishin të detyruar të punonin shumë shpejt. “Përgjatë 186 hapave duhej të mbanim gurë të peshave të konsiderueshme. Ai që merrte një gur me peshë pak më të vogël ishte me fat. Kjo vazhdonte nga 8 deri në 10 rrugë në ditë pa pushim”, tregon Bernadac. Një tjetër i mbijetuar thotë gjithashtu: “Nëse të burgosurit pushonin vetëm një minutë rojet i ekzekutonin. Shumë të burgosur kanë tentuar të arratisen, por nuk ia dilnin”. Njerëz të tjerë të paaftë për të përballuar torturat e kampit kanë arritur të bëjnë vetëvrasje. Mes 122.766 – 320.000 njerëz kanë vdekur në “Mauthausen”. Në qoftë se të burgosurit nuk vdisnin nga puna e vështirë në gurore, ata gjenin mënyra të tjera për të vrarë veten.
Ja çfarë tregon një tjetër i burgosur. “Të burgosurit i hidhnin në gardhe me tela elektrikë, i varnin, i linin të vdisnin nëpër bunkerë, i vrisnin me armë. Rreth 3000 të burgosur kanë vdekur nga hipotermia pasi u detyruan të bënin dush me akull e më pas të qëndronin jashtë”.
“Mauthausen” është rreth 20 km në lindje të qytetit të Linzit në Austri dhe ka pasur kushtet më të këqija të burgimit në atë kohë. Ky institucion është klasifikuar si burg i klasit të tretë dhe ishte vendi ku asgjësoheshin armiqtë politikë të Rajhut. Kampi ishte i mbipopulluar, ka pasur raste kur 5 burra dergjeshin të sëmurë në një shtrat të vetëm. Ka pasur gjithashtu 60.000 njerëz që qëndronin pranë tymit të oxhakut gjithë ditën, madje edhe kushtet sanitare ishin në një nivel shumë të ulët e kryesorja ishte që të burgosurit vdisnin urie.
Por a jeni kuriozë të dini se si është sot ky vend? Thuhet se shkallët e tij janë bërë të njëtrajtshme, në mënyrë që turistët të ngjiten lehtësisht. Gurorja është mbuluar nga pemët, shkurret dhe nga vendet e banimit që u ndërtuan pas luftës.