Këto ditë, me hapjen e kufirit mes vendit tonë dhe Shqipërisë, në vendkalimin kufitar “Bllatë” në afërsi të Dibrës, në tre ditët e fundit për në Shqipëri kanë udhëtuar mbi 200 dibranë, por jo vetëm ata, meqë sipas kompetentëve, në këtë vendkalim kufitar për në bregdetin shqiptar pikërisht nga ky vendkalim kufitar kanë udhëtuar edhe shkupjanë, tetovarë, gostivaras e tjerë
Vjollca SADIKU
Dibër, 6 korrik – Dekadën e fundit dibranët tradicionalisht pushimet verore i kalojnë në bregdetin e bukur shqiptar. Çdo verë, mbi 70 për qind e familjeve dibrane pushojnë dhe relaksohen në Durrës, Shëngjin, Vlorë, Sarandë dhe pushimore të tjera turistike në Shqipëri. Afërsia e bregdetit shqiptar dhe çmimet joshëse tërheqin një numër të madh të dibranëve në vendet turistike shqiptare. Ashtu pritet të jetë edhe këtë vit, edhe pse jemi në një situatë të pandemisë të virusit Kovid-19.
Këto ditë, me hapjen e kufirit mes vendit tonë dhe Shqipërisë, në vendkalimin kufitar “Bllatë” në afërsi të Dibrës, në tre ditët e fundit për në Shqipëri kanë udhëtuar mbi 200 dibranë, por jo vetëm ata, meqë sipas kompetentëve, në këtë vendkalim kufitar për në bregdetin shqiptar pikërisht nga ky vendkalim kufitar kanë udhëtuar edhe shkupjanë, tetovarë, gostivaras e tjerë. Tanimë në plazhet e bukura të Durrësit dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë kanë arritur dibranët e parë, të cilit tradicionalisht shfrytëzojnë plazhet e bukura jo vetëm në Durrës, por edhe në Shëngjin dhe Vlorë. Para nisjes për në Shqipëri, biseduam me Petrit. A. i cili na informoi se me pesë anëtarët e familjes do të udhëtojë drejt Durrësit. Ai thotë se çdo verë pushimet i kalon në plazhet e Adriatikut. Atje, meqë ka edhe të afërm të tij, vendoset në apartament privat të cilët gjinden në afërsi të plazhit.
Sipas tij, pushimi familjar do të zgjasë dhjetë ditë meqë është i punësuar në një kompani private në Dibër. Në pyetjen tonë pse udhëton në kohë të pandemisë, ai thotë se, sipas institucioneve – ky virus do të zgjas një kohë të gjatë dhe se në këtë pandemi – do t’u kishte ardhur shumë mirë për shëndetin dielli dhe uji i detit”. Sipas Agjencive turistike në Dibër, kanë filluar të bëhen shumë rezervime për në hotele në bregdetin shqiptar.
Duke marrë parasysh interesimin për të udhëtuar në Shqipëri, edhe këtë verë – edhe pse e kemi prezent virusin Kovid -19, kompanitë për transport të udhëtarëve në Dibër nga dita e djeshme kanë filluar të mirëmbajnë linja të përditshme nga Dibra për në Shëngjin, Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Pronari i kompanisë “Unik turist”, Azem Ballanca, tha për gazetën KOHA se interesimi është i madh për të udhëtuar në Shqipëri, prandaj edhe këtë vit ka vendosur që të mbajë linjën e rregullt nga Dibra për në vendet turistike shqiptare.
Para një dekade, një pjesë bukur e madhe e dibranëve kryesisht pushimet verore i kalonin në Greqi, Mal të Zi, Turqi dhe një numër më i vogël në Shqipëri. Por, me ndërtimin e objekteve me standarde të larta, respektivisht hoteleve dhe apartamenteve private që u ndërtuan në Shqipëri, tani pjesa më e madhe e dibranëve veron në bregdetin shqiptar duke u relaksuar në ujërat e detit Adriatik dhe detit Jon. Edhe këtë vit, përkundër situatës aktuale, por edhe duke shfrytëzuar mundësinë që në Shqipëri udhëtohet pa kushtëzime, dibranët ndoshta me pak vonesë, po rekreohen në bregdetin shqiptar, ku i kalojnë pushimet verore. (koha.mk)