Bujar KURTAJ
Shkup, 8 shkurt – Skuadra e Shkëndijës ka përfunduar fazën e dytë të përgatitjeve të cilat i realizoi në Antalia të Turqisë, ndërsa të hënën në mbrëmje futbollistët janë rikthyer në Tetovë. Trajneri Tomas Brdariç lojtarëve u ka dhënë dy ditë pushim, ndërsa të enjten vazhdojnë me seancat stërvitore. Ndryshe, Brdariç thotë se në Antalia kanë lënë pas një periudhë shumë pozitive, ndërsa pohon se është i kënaqur me futbollistët të cilët sipas tij i janë përgjigjur me profesionalizëm kërkesave të tij. “Mund të them se kemi lënë pas një periudhë shumë pozitive. Ishte bukur të jemi dy javë në Antalia ku kishim kushte shumë të mira për punë dhe jemi munduar të njëjtat t’i shfrytëzojmë në maksimum. Normal kjo ishte vetëm një pjesë e asaj që duam të bëjmë, pasi dy javë janë shumë pak në raport me atë që duam të ndërtojmë. Unë kam gjetur ekipin në një gjendje, ndërsa në mendje kam idetë e mija se si duhet të luajmë në të ardhmen. Për të bërë këtë sigurisht se nevojitet kohë, lojtarët të kuptojnë kërkesat e mija dhe sistemin që preferoj ta përdorim në të ardhmen. E them se jam i kënaqur si futbollistët janë përgjigjur me profesionalizëm kërkesave të mija. Kemi kryer një pjesë dhe tani duhet të insistojmë edhe më tej atë që kemi punuar ta bartim në fushë dhe të arrijmë nivelin e dëshiruar”, shprehet për gazetën KOHA trajneri i Shkëndijës, Tomas Brdariç.
Ai thotë se futbollistëve u nevojitet kohë për tu adaptuar në metodat dhe sistemin tjetër të lojës, ndërsa shprehet optimist se në pranverë do të bëjnë gjëra të bukura. “Sigurisht se duhet të vazhdojmë me punën që kemi nisur dhe të ndërtojmë lojën në vazhdimësi. Futbollistëve u kemi dhënë dy ditë të lira pas fazës së vështirë në Turqi, ndërsa nga e enjtja vazhdojmë me punë. Të shtunën kemi testin e radhës me CSKA-në e Sofjes dhe aty do të provojmë nivelin që kemi arritur të zhvillojmë deri tani. Por, e përsëris se na duhet ende punë, sigurisht nuk është e lehtë edhe për futbollistët që nga një sistem që kanë luajtur, të adaptohen me metoda të reja dhe sistem tjetër të lojës. Mirëpo, duke parë mënyrën si kanë punuar dhe profesionalizmin që tregojnë, unë mbetem optimist se do të bëjmë gjëra të bukura në vazhdim të kampionatit”, përfundoi Brdariç. Ndërkohë, futbollisti më i mirë i kuqezinjve Ferhan Hasani thotë se përgatitjet në Antalia kanë qenë të lodhshme me stërvitje intensive dhe me një ngarkesë të madhe, e cila shpreson se do të jep rezultate në kampionat.
“Mund të vlerësoj shumë pozitive këtë fazë të përgatitjeve në Antalia të Turqisë. Ka qenë një periudhë e lodhshme, me stërvitje intensive dhe me një ngarkesë të madhe e cila shpresoj të jep rezultatet në kampionat. Përveç seancave stërvitore ju e dini se kemi zhvilluar katër ndeshje kontrolluese me kundërshtar të fortë. Në fakt nëse llogarisim edhe atë trajning ndeshjen jo zyrtare me Rostovin, mund të themi se jemi përballur me pesë kundërshtar kualitativ që na kanë dhënë mundësi të mirë të komponohemi dhe të ndërtojmë lojën tonë. Gjithmonë rezultati ka qenë në plan të dytë, por gjithsesi kemi qenë të mirë edhe në këtë drejtim. Nuk e dijë sa është i njoftuar opinioni se ne edhe në ditët kur kemi pasur ndeshje, para dite kemi zhvilluar seancë stërvitore, pasi në këtë periudhë me rëndësi është ekipi të ketë ngarkesën e duhur fizike, pasi për këtë edhe zhvillohet faza përgatitore. Mendoj se kemi punuar mirë, kemi edhe pak më pak se dy javë deri në vazhdim të kampionatit dhe besoj se do të jemi të gatshëm për atë që na pret”, deklaroi për KOHA kapiteni i Shkëndijës, Ferhan Hasani. Kujtojmë, skuadra e Shkëndijës ka gjashtë pikë më pak se lideri aktual dhe konkurrenti më serioz për titullin e kampionit të Maqedonisë, KF Vardar. Derisa, më 19 shkurt në stadiumin e qytetit në Tetova, kuqezinjtë do ta presin skuadrën nga Kratova, KF Sileks.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.